Dita Botërore e Refugjatëve, 'Shpi, larg shpisë' - Ekspozitë rrëfimesh në Prishtinë – FOTO

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR KS) ka shënuar Ditën Botërore të Refugjatëve me një ekspozitë virtuale në Prishtinë të martën.

Nën moton “Shpi, larg shpisë”, YIHR e ka prezantuar një pjesë të kësaj ekspozite në sheshin “Zahir Pajaziti” në kryeqytet.

Ekspozita përmban 8 rrëfime të qytetarëve, të cilët gjatë luftës së fundit në Kosovë kanë qenë refugjatë apo kanë pritur refugjatë në shtëpitë e tyre.

Bjeshkë Guri, koordinatore e programit “Ballafaqim me të kaluarën’’ në YIHR, ka thënë se këtë ditë e shënojnë për ta promovuar muzeun virtual të refugjatëve, e cila është një arkivë dixhitale që mbledhë përvoja personale të personave që kanë qenë refugjatë gjatë luftës së Kosovës.

“Gjatë luftës së fundit në Kosovë, dihet që mbi 80% e popullatës janë dëbuar edhe janë detyruar t’i lënë shtëpitë e tyre me forcë, kështu që për ne është shumë e rëndësishme që me nxitë një shërim kolektiv tu i dëgju përvojat personale të civilëve pasi që e dimë që menjëherë pas luftës është kriju një militarizim i kujtesës kolektive ku përvojat e qytetarëve janë heshtur edhe nuk janë dëgjuar” – është shprehur Guri.

Guri ka treguar se që nga viti 2017 kanë realizuar çdo vit nga 30 intervista me përvoja personale, të cilat janë munduar që kryesisht të jenë nga zonat rurale, nga të rinj dhe të moshuar.

“Fillimisht hasim në hezitim prej personave pasi që shkaku i domenit publik edhe narrativës dominante që ekziston në Kosovë ata nuk ndjehen se përvoja e tyre ka vlerë për publikun, por ne mundohemi në të gjitha format që t’i bëjmë të ndihen që janë të dëgjum edhe me e nxitë një njohje, me ua njoftë vuajtjet në mënyrë që ata të ndihen të validum edhe të bashkëndjejmë me çka ata kanë përjetu’’ – ka thënë Guri.

Qëllimi i këtij muzeu është që të ketë gjithëpërfshirje, pasi ka prej profesioneve të ndryshme, prej vendeve të ndryshme, të jetë multi-etnik, me përvoja prej komuniteteve të ndryshme, si prej komunitetit serb, rom, ashkali, egjiptianë, goranë, boshnjakë e turq.

Në mesin e rrëfimeve, kishte rrëfime anonime, për të cilat Guri ka treguar se kryesisht i takojnë komunitetit serb.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Guri ka treguar se intervistat me komunitetin serb i kanë realizuar në komunat me shumicë serbe me anë të hulumtuesve në terren prej komunitetit shqiptar, por gjithashtu edhe prej atij serb.

“Personat që janë anonim, kryesisht janë prej komunitetit serb, ka edhe prej komunitetit shqiptar, por kryesisht janë prej komunitetit serb. Kjo dihet shkaku i mendësisë që ekziston edhe që ata shpesh herë ndihen të kërcënuar të bashkëpunojnë me organizata që janë me shqiptarë’’ – është përgjigjur Guri.

Dita Botërore e Refugjatëve është një ditë ndërkombëtare e caktuar nga Kombet e Bashkuara për të nderuar refugjatët anembanë globit.

Çdo vit më 20 qershor festohet për forcën dhe guximin e njerëzve që janë detyruar të largohen nga vendi i tyre për t’i shpëtuar konfliktit ose persekutimit.

Dita Botërore e Refugjatëve, ‘Shpi, larg shpisë’ – Ekspozitë rrëfimesh në Prishtinë
Dita Botërore e Refugjatëve, ‘Shpi, larg shpisë’ – ekspozitë rrëfimesh në Prishtinë
Dita Botërore e Refugjatëve, ‘Shpi, larg shpisë’ – ekspozitë rrëfimesh në Prishtinë
Dita Botërore e Refugjatëve, ‘Shpi, larg shpisë’ – ekspozitë rrëfimesh në Prishtinë
Dita Botërore e Refugjatëve, ‘Shpi, larg shpisë’ – ekspozitë rrëfimesh në Prishtinë