VV Thërret Qytetarët të Mblidhen Nesër Para Kuvendit

Në një mbledhje të jashtëzakonshme për media të Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Sejdiu tha se ende pa përfunduar debati për demarkacionin në ambientet e Kuvendit.

Ndërsa, Glauk Konjufca, duke folur për tryezën për demarkacionin, e cila ende po vazhdon, tha se të gjithë qytetarët e kanë të qartë se cila palë ka të drejtë.

“Argumenti më i rëndësishëm: Komisioni Shtetëror që ka pasë për detyrë shënjimin e vijës kufitare është mbështetur mbi kriterin kadastral”, tha Konjufca.

“Z. Bulliqi ka ofruar edhe një argument tjetër, me të cilin duhet të merren mediat – falsifikimin e dokumenteve zyrtare”, theksoi ai.

“Pas kësaj tryeze ne ndodhemi edhe më të fortë dhe e kemi një legjitimitet edhe më të madh për të kundërshtuar këtë Marrëveshje. Ne do të jemi në anën e kundërt të Qeverisë”, shtoi Konjufca.

Pastaj, Dardan Sejdiu tha se ende pa përfunduar debati, “e pamë arrogancën e Qeverisë për të kontrabanduar demarkacionin”.

“I ftojmë qytetarët që të na bashkangjiten nesër në ora 10:00 para Kuvendit”, tha ai.

“Nëse nuk tërhiqet Qeveria, Qeveria është përgjegjëse për gjithçka që ndodh nesër pas orës 10:00. Qeveria është ajo qe po nxit tension”, theksoi Sejdiu.

Zyrtarët e Vetëvendosjes nuk pranuan të përgjigjen në asnjë pyetje të gazetarëve.

21:49

Lëvizja Vetëvendosje fton qytetarët që të mblidhen para Kuvendit të Kosovës nesër në orën 10:00. Këtë e konfirmoi për KALLXO.xom, zëdhënësi i VV-së, Frashër Krasniqi.

Kjo thirrje sipas Vetëvendosjes bëhet sepse Qeveria po tenton kontrabandimin e Marrëveshjes për Demarkacionin.

Po ashtu, Vetëvendosje ka thirrur një konferencë të jashtëzakonshme për medie që do të nisë në ora 21:20.