VV ia Përshkruan ‘Detyrat’ Policisë

Aktivistët e Vetëvendosjes i janë kthyer aksioneve publike para ndërtesave të institucioneve me një baner të vendosur para selisë qendrore të Policisë së Kosovës.

Një grup i aktivistëve janë mbledhur para selisë së policisë për të protestuar ndaj veprimeve të policisë të muajit të kaluar ndaj zyrtarëve të kësaj partie.

Në banerin e vendosur para policisë, Vetëvendosje ia ka bërë një “përshkrim detyrash” policisë.

“Policia e Kosovës ofron këto shërbime: montojmë gjyqe politike, montojmë çanta me materiale të rrezikshmërisë së lartë, montojmë shtretër, montojmë kamera, montojmë pllaka”, shkruan në banerin e Vetëvendosjes.

Aktivistja Teuta Rrusta foli për arrestimin e gjashtë aktivistëve të VV-së të cilët dyshohen për terrorizëm lidhur me sulmin e gushtit të këtij viti ndaj ndërtesës së Kuvendit.

“Policia e Kosovës ofron shërbime të ndryshme për qytetarët përveç misionit të saj kryesor që ka mbrojtjen e tyre. Siç e dini kjo polici është e njohur për skandale duke filluar që nga vjedhjet në dhomën e dëshmive deri tek problem me numërim gjatë protestave, por kjo polici kohëve të fundit është treguar e aftë në disa aspekte të tjera”, tha Rrusta.

Ajo tha se Vetëvendosje do të vazhdojë me protesta të formave të ndryshme “deri në çmontimin e këtij rasti”.

“Lirimi i Egzonit, Atdheut, Frashërit, Adeas, Petritit dhe i Astritit janë të domosdoshme përveç është e drejtë. Ne do të vazhdojmë me aksionet tona dhe me protestat e formave të ndryshme deri në çmontimin e rastit”, shtoi Teuta Rrusta.

Menjëherë pas aksionit, policia e ka larguar banerin nga lokacioni ku ishte vendosur.

protesta vv2