Vuçiq bën thirrje që Kosova të heqë taksën 100 % ndaj mallrave serbe

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha sot në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së të thirrur urgjent nga Serbia dhe Rusia, se vendi i tij do t’u qëndrojë pranë serbëve të Kosovës.

Në fjalën e tij, Vuçiq ka kritikuar taksën prej 100 për qind të vendosur nga Qeveria e Kosovës ndaj mallrave serbe.

Me këtë, sipas tij, rrezikohet popullata serbe e Kosovës.

Ai nënvizoi se kjo taksë erdhi pas mosanëtarësimit të Kosovës në Interpol.

“Ne i kemi lutur që të mos aplikojnë në Interpol, UNESCO por ata donin që të merrnin pjesë dhe humbën në Interpol, ku morën me pak se 50% të votave dhe ata filluan ta fajësojnë Serbinë sikur të ishte obligim yni t’i mbështesim”, shtoi Vuçiq.

“Me taksën prej 100% ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjës, ata e vranë tregtinë mes Kosovës dhe Serbisë, ata i shkelën të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut”, theksoi presidenti serb.

Gjatë fjalës së tij, Aleksandar Vuçiq kritikoi edhe transformimin e FSK-së në Ushtri të Kosovës.

Vuçiq ka pyetur se nga e cila e drejtë u nxor dokumenti për të formuar Ushtrinë. “Në asnjë dokument. Këtë nuk e gjen as në Kushtetutën e tyre, të cilën ne nuk e njohim”, tha ai.

Gjithashtu, presidenti serb tha se vendi i tij ka investuar shumë për paqen dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.

Presidenti serb tha se masat e ndërmarra nga autoritetet e Kosovës janë diçka që nuk janë koherente në shekullin e 21-të.

Pavarësisht të gjithave, shtoi Vuçiq, Serbia është gatshme të vazhdojë me dialogun e ndërmjetësuar nga BE, ndërkohë që bëri thirrje për presion ndaj Prishtinës për të hequr tarifën, të cilën e quajti “të tmerrshme”.

Duke pasur parasysh të kaluarën, Vuçiq potencoi se Serbia nuk ka njerëz për të humbur në konflikte të tjera.