Vrasjet Krijojnë Pasiguri në Deçan

E konsideruar për një kohë të gjatë si një ndër më të qetat në Kosovë, komuna e Deçanit është shndërruar muajve të fundit në arenë vrasjesh. Tri vrasje kanë ndodhur në pak muaj në territorin e kësaj komune të vogël.

Vrasjet, si ajo e orëve të para të ditës së sotme, po krijojnë pasiguri dhe imazh të keq për Deçanin, vlerëson shoqëria civile, e cila ka organizuar marshe paqësore duke kërkuar që të ndalen këto raste.

Adem Lushaj përfaqësues i shoqërisë civile në Deçan tha se vrasjet apo rastet si vrasja e 35-vjeçit Ilmi Lufaj nga Strellci janë jashtëzakonisht të dëmshme dhe po i japin një imazh të keq kësaj komune,  e cila, sipas tij, deri viteve të fundit ka qenë më e qeta.

“Pa dashur ta komentojmë rastin e ndodhur sepse nuk jemi ata të cilët duhet të merremi, mirëpo për ne janë të papranueshme edhe aq me shumë kur bëhen nga zyrtar policor, kur dihet se qytetarët nëse kërkojnë mbrojtje dhe siguri kërkojnë nga Policia”, tha Lushaj në një prononcim për KALLXO.com në lidhje me vrasjen e Ilmi Lufajt, i cili u vra sot nga plumbat e një polici të Stacionit Policor të Deçanit.

Para pak muajve janë vrarë edhe dy të rinj nga Strellci. Shoqëria civile ka mbajtur marshe paqësore pas vrasjes së Donjeta Pajazitit dhe të Ylber Malajt.

KALLXO.com ka bërë përpjekje të bisedojë me familjarët e viktimës Ilmi Lufaj por ata nuk ishin në gjendje të flisnin për humbjen e më të dashurit të tyre.

Ndërsa, rreth incidentit është deklaruar Policia Rajonale e Pejës. Sipas një njoftimi të Policisë, Ilmi Lufaj nga Strellci është vrarë rreth orës 02:00 në qendër të Deçanit nga një zyrtar policor,  i cili ka shtënë  me armën zyrtare në vetëmbrojtje. Polici ishte në detyrë.

Incidenti ka ndodhur jo larg nga Stacion Policor në Deçan, ndërsa viktima ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal të Pejës.
“Ju informojmë se më datë 18.04.2016 rreth orës 02:05 në rr.”Luan Haradinaj”, përballë pompës së derivateve ’Al Petrol’, rreth 30 metra nga porta e rrethojës së jashtme të Stacionit Policor në Deçan, një pjesëtar i Policisë së Kosovës gjatë kryerjes së detyrës zyrtare ka përdorur armën e tij zyrtare me qëllim të parandalimit të sulmit ndaj tij nga i dyshuari shtetas i Kosovës I.L. (1988) – (tani viktimë). Përkundër përpjekjeve të ekipit mjekësor të cilët në vendin e ngjarjes kanë konstatuar se viktima kishte shenja jete, dhe me emergjencë është dërguar në Spitalin Rajonal në Pejë, por në ketë spital i njëjti kishte ndërruar jetë sipas njoftimit të ekipit mjekësor”, thuhet në njoftimin për media të Policisë Rajonale të Pejës.
Në komunikatë për media nuk është bërë e ditur nëse zyrtari policor është arrestuar. Në të thuhet vetëm se me rastin po merren njësitet relevante dhe prokurori i shtetit.

http://kallxo.com/vrasje-ne-decan/

http://kallxo.com/arrestohet-i-dyshuari-per-vrasjen-e-donjeta-pajazitit/

 

http://kallxo.com/kerkohet-ndricimi-i-vrasjes-se-donjeta-pajazitit/