Vrasja për Borxhin e Marijuanës

Për këtë vrasje të rëndë që ndodhi më 13 prill të vitit të kaluar përveç Ylber Krasniqit akuzohet edhe Luan Nuka.

Gjatë mbrojtjes Ylber Krasniqi tha se nuk kishte asgjë të keqe me të ndjerin Zija Nuka dhe as që kishte të bënte me vrasjen e tij.

Krasniqi dha versionin e tij se si ndodhi vrasja e Zija Nukës, duke treguar se ditën kritike gjithçka nisi kur makina me të cilën udhëtonin ai, Luan Nuka, Zija Nuka dhe një person që për Krasniqin ishte i panjohur doli qëllimshëm nga rruga dhe u ndal te disa livadhe.

Krasniqi bëri të ditur se personi i panjohur për të po voziste, ndërsa katër udhëtarët në makinë ishin nisur për të shkuar në një lokal për të pirë kafe.

“Hypëm në kerr, shkum kishe me pi kafe në ‘Nertil’, por na futën në një rrugë në livadhe dhe qaty kom ni tu fole puna ni borxhi personin e tretë me atë viktimën. Tani u nal kerri qaty në fushë dhe dulen prej kerri dhe personi i tretë e goditi me grusht viktimën,” tha i akuzuari Ylber Krasniqi.

Krasniqi tha se u mundua të reagojë për ta shpëtuar tashmë të vrarin Zija Nuka.

“Kur e pashë tu e rre viktimën ai i treti, e kam pas ni thikë dhe kam dashtë me reagu me pshtu. Pastaj ai personi i tretë ma pa thikën, e nxerri alltijën dhe tha çka e nxerre thikën. I thashë na dulëm me pi kafe nuk dulëm me rre kërkonin. Atëherë ma bani gjuje thikën në tokë,” tregoi Krasniqi.

I akuzuari tregoi pastaj se si ndodhi vrasja e Zija Nukës.

Luani i ka vnu dorzat, e ka vendos një maskë në gojë dhe e ka godit me thikë s’di sa herë,” tha Ylber Krasniqi.

Luan Nuka nuk iu përgjigj atyre që thoshte Ylber Krasniqi, ngase ka vendosur të mbrohet në heshtje.

Por aktakuza e prokurorisë e bën përgjegjës edhe Ylber Krasniqin për vrasjen e Zija Nukës dhe nuk e shfajëson, siç e shfajësoi ai veten.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Gjakovës “Luan Nuka dhe Yllber Krasniqi më 13 prill 2015  rreth orës 21:30 në afërsi të lagjes ‘Koloni’ në Gjakovë pas një marrëveshjeje ndërmjet veti me dashje dhe në mënyrë dinake – mizore kanë privuar nga jeta të ndjerin Zija (Asllan) Nuka për shkak të një borxhi të papaguar për marijuanën e blerë”.

Në aktakuzë thuhet se Luan Nuka i ka thënë Ylber Krasniqit se Zija Nukën duhet ta zhdukim dhe pastaj e ka thirrur me telefon tash të ndjerin dhe të dy janë takuar me të në një lokal për ta dërguar pastaj në një fushë të hapur ku ka ndodhur vrasja e Zija Nukës.

Prokuroria e përshkruan edhe mënyrën se si ndodhi vrasja.

“Pastaj nga bilardo e kanë marrë dhe e kanë dërguar në një fushë të hapur e cila quhet ‘Lugu i Qilit’ në një largësi rreth 700 metra, ashtu që i akuzuari Ylber e ka mbajtur, ndërsa i akuzuari Luan e ka goditur 14 herë me thikë të cilën ia ka dhënë i akuzuari Ylber,” thuhet në aktakuzë.

Seanca e radhës e këtij gjykimi është caktuar më 29 korrik.