Gjykata e Apelit. Foto: KAllxo.com

Vrasja në tentativë, Apeli cakton masën e arrestit shtëpiak për të pandehurin

Gjykata e Apelit e ka aprovuar ankesën e mbrojtësit të të pandehurit Diar Sfarqa, avokatit Gazmend Halilaj, në atë mënyrë që e ka ndërprerë masën e paraburgimit për të akuzuarin dhe të njëjtën e ka zëvendësuar me masën e arrestit shtëpiak.

Kjo masë i është caktuar deri më 21 shtator të këtij viti.

Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte bërë kërkesë për vazhdim të masës së paraburgimit ndaj të pandehurit Diar Sfarqa edhe për dy muaj nën dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale të vrasjes në tentativë.

I pandehuri Diar Sfarqa kishte qenë nën masën e paraburgimit për një muaj.

Mbrojtësi i të pandehurit Diar Sfarqa, avokati Gazmend Halilaj, në afatin ligjor kishte paraqitur përgjigje në kërkesën e Prokurorisë për vazhdimin e masës së paraburgimit.

Avokati në këtë përgjigje i kishte kundërshtuar kërkesën e Prokurorisë.

Ai Gjykatës Themelore i kishte propozuar që një kërkesë e tillë të refuzohet dhe i pandehuri të lëshohej në liri apo eventualisht Gjykata të njëjtit t’i caktonte masën e lajmërimit në stacion policor.

Kurse gjyqtari i procedurës paraprake, Isuf Makolli pas shqyrtimit të kësaj kërkese kishte gjetur se kërkesa e Prokurorisë është e bazuar në atë mënyrë që e kishte aprovuar kërkesën e prokurorit të shtetit për të vazhduar masën e paraburgimit ndaj të pandehurit Diar Sfarqa.

Në kërkesën për vazhdimin e masës së paraburgimit thuhet se në qershor të këtij viti në Prishtinë për shkak të një mosmarrëveshjeje me të dëmtuarin Shkëlqim Baxhaku, i pandehuri me dashje që ta privojë nga jeta të dëmtuarin Shkëlqim Bixhaku, me veturën e tij të tipit Mercedes ngjyrë hiri, e ka goditur të dëmtuarin i cili ka pësuar lëndime trupore shkaku i të cilave është trajtuar në QKUK.

Sipas kësaj kërkese të Prokurorisë, i pandehuri Diar Sfarqa ka kryer veprën penale të vrasjes në tentativë.

Por pas ankesës së mbrojtësit të të pandehurit, avokatit Gazmend Halilaj, Gjykata e Apelit e ka ndryshuar aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës ndaj të pandehurit Diar Sfarqa, ashtu që ndaj të njëjtit është ndërprerë masa e paraburgimit dhe i është caktuar masa e arrestit shtëpiak e cila masë sipas këtij aktvendimi do t’i zgjasë deri me datën 21 shtator të këtij viti.