Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Prokuroria: I akuzuari e goditi me veturë të dëmtuarin me qëllim që ta mbyste

Në Gjykatën e Prishtinës ka dështuar të mbahet seanca ndaj të akuzuarit Diar Sfarqa, i cili akuzohet se goditi me veturë të dëmtuarin Shkelqim Baxhaku, me qëllim që të privonte nga jeta.

Arsyeja e dështimit të kësaj seancë ishte mosprania e mbrojtësit të të akuzuarit Sfarqa, avokatit Haxhi Millaku, i cili sipas Gjykatës kishte kërkuar të shtyhet ky shqyrtim gjyqësor për shkak se në të njëjtën kohë kishte një seancë tjetër për të cilën ftesën kishte pranuar më parë.

E pranishme nuk ishte as prokurorja e rastit, Bukurie Gjonbalaj ngase nga kryetarja ishte njoftuar për kërkesën e mbrojtësit të të akuzuarit.

Diar Sfarqën Prokuroria e akuzon për veprën penale vrasje në tentativë, duke e goditur me veturë të dëmtuarin me qëllim që ta privojë nga jeta.

Në bazë të aktakuzës, i akuzuari Diar Sfarqa në qershor të vitit 2019 në Prishtinë te Parku i Gërmisë, përderisa i dëmtuari Shkelqim Baxhaku ishte duke luajtur me disa qen, i pandehuri me veturën e tij sillet disa herë rreth vendit ku i dëmtuari ishte duke qëndruar dhe i afrohet i thotë: “Çka u bo o burrë, çka është problemi, a nuk po më sheh?”. Pas kësaj, i pandehuri edhe 6 herë sillet rreth vendit ku po qëndronte i dëmtuari dhe i njëjti detyrohet të largohet nga ky vend. Mirëpo, pasi i dëmtuari largohet, i pandehuri e rrit shpejtësinë e veturës dhe niset pas veturës ku ishte i dëmtuari.

Pasi i dëmtuari del nga vetura për të biseduar me të pandehurin, ai e me dashje që të privojë nga jeta të dëmtuarin Baxhaku, me veturën e tij e godet të dëmtuarin duke i shkaktuar lëndime të rënda.

Seanca e ardhshme është caktuar të mbahet më 9 tetor.