VIDEO: Si arriti policia të zbardhë rastin e shitjes së foshnjes nga ish-burri i viktimës?

Në emisionin “Drejtësia në Kosovë” u transmetua intervista ekskluzive e një viktime e cila prentendoi se ishte kërcënuar nga ish- bashkëshorti i saj.

Rasti në fillim ishte hapur si kanosje ndërsa hetimet rezultuan me një rast krejt tjetër, atë të trafikimit me qenie njerëzore.

15 vite më parë, viktima dhe i dyshuari kishin bashkëjetuar, ndërsa viktima kishte lindur një djalë, ku më pas ish- burri i viktimës ia kishte shitur një çifti në Preshevë.

Hetuesi i Policisë së Rajonit të Mitrovicës, tregon për Drejtësia në Kosovë se si kishin arritur të zbulonin rastin e shitjes së fëmijës, duke theksuar se viktima nuk kishte deklaruar një gjë të tillë.

“Pas mbledhjes së të gjitha informatave, kemi qenë në vazhdimësi në kontakt me prokurorin. Kemi mbledhur të gjitha provat, dhe pas mbledhjes së të gjitha informatave kemi pas që ka edhe vepra të tjera, kemi njoftu edhe drejtorinë për trafikimin e qenies njerëzore në Prishtinë, i kemi thirrë i kemi lajmëru”, thotë hetuesi.

Ai shton se, viktima kishte deklaruar se nuk posedon asnjë dokument.

“Viktima fillimisht, kontaktin e parë ka thënë se nuk ka asnjë dokument dhe më pas ka treguar se i dyshuari i ka marrë të gjitha dokumentet e saja”, tha hetuesi.

Gjithashtu hetuesi tregon se për më shumë se 13 orë e kanë intervistuar viktimën.

Personalisht kam punu prej orës 13 deri pas mesnatës, kam punu deri në kompletimin e rastit”, shtoi ai.

Sipas hetuesit, deklaratat e viktimës ishin se e njëjta ishte kërcënuar nga ish- burri i saj.

“Viktima në deklaratën e saj ka cek që e ka një fëmijë e ka me një shtetas austriak i cili ka ndërru jetë dhe sipas saj viktimës dhe djalit të saj i takon një pension, sipas viktimës ish- burri po i kërkon dhe po i bën presion me i nënshkru disa dokumente te noteri për me marr ish- burri pensionin. Rastin e fëmijës që është shitur në Serbi nuk e ka përmendur”, tha hetuesi.