Rrëfimi i prokurorit që po heton shitjen e fëmijëve në Gjilan

Në emisionin “Drejtësia në Kosovë” u transmetua intervista ekskluzive e një viktime e cila prentendon se ishte kërcënuar nga ish- bashkëshorti i saj.

Rasti në fillim ishte hapur si kanosje ndërsa hetimet rezultuan me një rast krejt tjetër, atë të trafikimit me qenie njerëzore.

15 vite më parë, viktima dhe i dyshuari kishin bashkëjetuar, ndërsa viktima kishte lindur një djalë, ku më pas ish- burri i viktimës ia kishte shitur një çifti në Preshevë.

Prokurori Agron Uka, tregon se kishin pranuar lëndën ndërsa kishte kërkuar nga policia që i njëjti të ndalohej për 48 orë.

“Prokuroria Themelore në Gjilan departamenti për Krime të Rënda pas pranimit të lëndës për trafikim me qenie njerëzore ka marrë veprime hetimore lidhur me identifikimin dhe ndriçimin e rastit në përgjithësi ndërsa në veçanti për ta siguruar prezencës e të pandehurit në procedurë. Pas identifikimit të të dyshuarit kapjen e tij, njëkohësisht prokuroria ka marrë aktvendim për ndalimin e tij për 48 orë. Më pas prokuroria ka kërkuar edhe masën e paraburgimit për të njëjtin dhe vendimin për fillimin e hetimeve për trafikim me qenie njerëzore”, tha Uka.

Ai tregon edhe se çka kishte shkruar në kërkesën për paraburgimin e të dyshuarit.

“Në kërkesë janë përfshi veprimet konkrete për të dyshuarin, për trafikim me qenie njerëzore një prej bazave që prokuroria ka kërku dhe kërkon është prezenca e tij në procedurë, pasi që i njëjti mund të ndikojë në procedurë, ndikimi në dëshmitarë, sa i përket specifikës që është me rendësi, vepra është e rëndë, mënyra e kryerjes është vepër e natyrës së ndjeshme”, shtoi Uka.

Gjithashtu prokurori Uka tregon edhe se si kishin arritur të zbulonin rastin e shitjes së foshnjës.

“Rasti konkret fillimisht në bazë të informatave të para, viktima e ka paraqit rastin si kanosje në Mitrovicë, fillimisht janë marrë hetimet për kanosje por duke u thelluar hetimi ka rezultuar se është një situatë krejt tjetër dhe është informu njësiti për trafikim me qenie njerëzore në Prishtinë dhe veprimet e mëtutjeshme i kanë pasur me prokurorinë tonë”, tha Uka.