Foto: ZKM

(VIDEO) Haradinaj: S’është tragjike ikja e të rinjve nga vendi

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj nuk e po sheh alarmante ikjen e të rinjve nga vendi.

Ai në konferencën  “Arsimi profesional dhe orientimi profesional janë politikë ekonomike” e organizuar nga Fondacioni Friedrich Ebert, GIZ dhe Oda Ekonomike Gjermane-Kosovare tha se s’është tragjike shkuarja në vendet perëndimore për të punuar.

“Nuk e di pse duhet me marrë tragjike këtë punën e shkuarjes në Gjermani për punësim, unë mendoj që edhe kjo është një shkollë e jetës. Falënderoj Gjermaninë për vizat e punës dhe mendoj që kjo është një mënyrë e aftësimit. Nëse një i ri kosovar shkon me punu në një fabrikë, ai aty e mëson sistemin e punës”, tha Haradinaj.

Kryeministri ka treguar se ai ka një zanat që e ka mësuar dikur në Zvicër.

“Edhe unë kam mësu zanat në Zvicër, edhe sot e kësaj dite di me vendosë izolim të kulmeve, di me vendosë dyer e dritare, di me punu me kulme pra me mbetë pa punë e gjej një punë. Shpresoj që të rinjtë të Kosovës për gjatë gjithë kohës që nuk e kanë një vend të punës në Kosovë shpresoj që këto vende të punës me i gjet në tregje të tjera”, tha tutje Haradinaj.

Ai po ashtu tha se deri më tani nuk është zgjidhur situata e arsimit sepse sipas tij deri më tani ‘skanë pasur dhëmbë me kafshu’.

“Nuk është temë që zgjidhjet nga diskutimi i sotëm dhe do të nevojitet një autoritet që ka dhëmbë me kafshu. Deri tash s’ka pas të tilla sepse s’kanë pas dhomë të mjaftueshëm me kafshu, pse po e them këtë fjalë, ne duhet me arrit një moment vendimmarrës në Kosovë që në aspektin më serioz të mundshëm vendosim që do të ndërron taktika e deri tashme e arsimit”, tha Haradinaj.