Ministri Dalibor Jevtiq | Foto: Ministria për Komunitete dhe Kthim

Veturë Zyrtare e Karburante pa Limit për Biznesin Privat

Ministria për Komunitete dhe Kthim është treguar dorëlëshuar, sa i përket dhënies në shfrytëzim të veturave zyrtare të ministrisë. Që nga viti 2015, MKK-ja ka marrë vendim që t’i lejojë një personi të paautorizuar ta ketë në shfrytëzim veturën zyrtare. Përveç kësaj, ministria ka paguar 2.352 euro për karburantin e kësaj veture, duke mos pranuar evidencë për mënyrën e shfrytëzimit të saj.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka rekomanduar që të merret një vendim i menjëhershëm për ndalimin e shfrytëzimit të veturës nga ky person i paautorizuar.

“Në UA 03/2008, janë përcaktuar kategoritë e zyrtarëve që kanë të drejtë shfrytëzimin e veturave zyrtare në kohëzgjatje 24h. MKK, nuk kishte respektuar këtë udhëzim, duke lejuar që përmes një vendimi të lëshuar në gusht 2015, t`i mundësohet shfrytëzimi i veturës zyrtare 24h, personit i cili nuk është punonjës i ministrisë. Vlera e karburanteve të paguara nga ministria për këtë veturë në vitin 2016 ishte 2,352€. Gjithashtu, nuk kishte evidenca mbi mënyrën e shfrytëzimit të saj”, thuhet në raportin e auditimit.

Ministria për Kthim dhe Komunitete udhëhiqet nga Dalibor Jevtiq, i cili vjen nga radhët e Listës Serbe. Ndaj tij është ngritur aktakuzë, bashkë me dy zyrtarë të tjerë të kësaj ministrie, Nenad Stojçetoviq – sekretar i përgjithshëm dhe Mihailo Prlinçeviq – drejtor i Departamentit të Administratës dhe Financave të kësaj ministrie.

Sipas aktakuzës në cilësinë e personave zyrtarë duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i kanë tejkaluar kompetencat dhe autorizimet e tyre me qëllim që të përfitojnë çfarëdo dobie për vete apo personin tjetër dhe njëkohësisht t’i shkaktojnë dëme ministrisë përkatëse.

Ministri Jevtiq, sipas aktakuzës në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ për Përdorimin e Automjeteve të Qeverisë së Kosovës, ka nxjerrw vendimin me të cilin i jepte në shfrytëzim të përhershëm një automjet zyrtar pronë të ministrisë një kompanie private, “përkatësisht Radio KIM –TV Centar, me seli në Çagllavicë, Komuna e Graçanicës”.

Ndërkaq, dy të pandehurit tjerë sipas aktakuzës si persona përgjegjës duke e ditur se një vendim i tillë është i kundërligjshëm janë pajtuar me veprime të tilla, duke përgatitur dhe nënshkruar kontratën.

Përveç kësaj, sipas ZKA-së, veturat ishin shfrytëzuar nga këshilltarë politikë të cilët nuk janë të autorizuar si dhe nuk kanë përcjellë procedurat për shfrytëzim të tyre.

“Vendime mbi shfrytëzimin 24h të veturave zyrtare u ishin lëshuar edhe pesë (5) këshilltarëve politikë, si dhe shefit të kabinetit të Ministrit. Shumica prej tyre nuk i plotësojnë fare fletudhëtimet mbi shfrytëzimin e automjeteve”, vazhdon raporti.

Një e gjetur tjetër e auditorit është mbajtja e pozitave zyrtare me ushtrues detyre për kohë shumë më të gjatë nga sa lejohet me ligj. Sipas Ligjit për Shërbimin Civil, neni 30, në rast të pozitave të lira, ushtruesi i detyrës (UD) nuk mund të emërohet më gjatë se tre (3) muaj.

“Në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim, pozita e sekretarit të përhershëm mbulohet me ushtrues detyre që nga viti 2013 dhe ajo e drejtorit të Departamentit për Politika dhe Analiza nga viti 2014”, thuhet në raportin e auditorit.

Kjo shkeljet kishte ndodhur për shkak se konkurset e shpallura për pozitën e sekretarit të përhershëm ishin anuluar pasi që aplikantët nuk i kishin përmbushur kriteret e caktuara. Ndërsa pozita e drejtorit të Departamentit për Politika dhe Analiza nuk plotësohet për shkak se me akt-emërim kjo pozitë i takon personit që aktualisht është u.d. në pozitën e sekretarit të përhershëm.

Shkelje të tjera janë gjetur në dhënien e subvencioneve për organizata joqeveritare që nuk kanë plotësuar kriteret për të fituar ato mjete nga ministria.

“Në një rast komisioni për vlerësimin e projekteve kishte pohuar se një OJQ kishte plotësuar të gjitha kushtet për dhënien e subvencionit sipas formularit për kriteret e plotësuara, ndërsa testet tona shpalosen se OJQ-ja nuk e ka plotësuar njërin nga kriteret e kërkuara (buxhetin e projektit në të cilin specifikohen të gjitha aktivitetet dhe çmimi kushtues i tyre). Kjo ka ndodhur në mungese të kontrollit të mirëfilltë nga ana e komisionit vlerësues”, thuhet në raportin e auditorit.

Ministria për Komunitete dhe Kthim kishte investuar rreth 10 mijë euro për furnizim me mobilje për Komunën e Shtërpcës. Ky subvencionim i Komunës së Shtërpcës, që është organizatë e veçantë buxhetore, sipas auditorit është i kundërligjshëm.

“Këto lloje të shpenzimeve i takonin kategorisë së subvencioneve dhe transfereve. Zyrtarët përgjegjës nuk ishin të informuar se ky lloj transanksioni është në kundërshtim me ligjin”, thuhet në raportin e auditorit.