Kryetari i Shtërpcës: Nëse vazhdon ky zullum ndaj popullit tonë, do të detyrohemi të reagojmë

Kryetari i Komunës së Shtërpcës, Dalibor Jevtiq në tubimin e mbajtur sot në Graçanicë ka thënë se serbët e Kosovës do të reagojnë nëse vazhdon, siç e ka quajtur ai “zullumi” ndaj popullit serb.

Sipas tij, serbët do të reagojnë të bashkuar në “luftën e tyre për qëndrim e mbijetesë në Kosovë”.

Jevtiq ka kërcënuar duke thënë se mesazhi i tyre do të theksohet në Ditën e Vidovdanit, aty ku sipas tij, fjalët e dhëna bëhen zotim.

“Në Ditën e Vidovdanit, kur gjithçka bëhet e qartë, e kur secila fjalë e dhënë bëhet zotim, ne, serbët dhe serbët e Kosovës, theksojmë mesazhin që ne, nëse vazhdon ky zullum ndaj popullit tonë, do të detyrohemi që të reagojmë ndaj atyre që na duan të keqen, që ëndërrojnë luftën në vend të paqes, si dhe që do të jemi të bashkuar në luftën tonë të drejtë për qëndrim e mbijetesë në këto treva, si dhe në mbrojtje të shtëpive e familjeve tona”- ka thënë ai.

Jevtiq tutje ka folur edhe për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Sipas tij, ka ardhur koha të dihet nëse do të ketë asociacion, në të kundërtën, sipas tij, ata e dijnë se çfarë duhet të bëjnë.

“Populli ynë i lënduar e ka thurur besimin e tij për një të nesërme në Asociacionin e komunave serbe, të cilën na e ka garantuar edhe bashkësia ndërkombëtare. Dhjetë vjet po presim të kemi qasje në të drejtën tonë për jetesë, dinjitet njerëzor, në shekullin 21, për qëndrimin dhe mbijetesën tonë në këto treva. Ka ardhur momenti që e vërteta të dalë në sipërfaqe e në këtë ditë të Vidovdanit të thuhet me zë: A do të kemi AKS? Në të kundërtën, e dimë se çfarë duhet të bëjmë”- ka deklaruar ai.

Ai ka thënë se për “këtë betejë legjitime e kanë mbështetjen e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq”.

“Obligohemi që betejën tonë të drejtë për qëndrim e mbijetesë në Kosovë ta vazhdojmë me maturi e përgjegjshmëri, duke lënë gjithmonë hapësirën e arsyeshme për dialog e kompromis. Në këtë betejë legjitime, llogarisim në ndihmën dhe mbështetjen e shtetit tonë të vetëm, shtetit të Serbisë, si të Presidentit tonë Aleksandër Vuçiq, që gjithmonë ka qenë edhe përkrahja jonë më e madhe”- ka thënë ai.

Edhe sot, për të disatën herë gjatë ditëve të fundit, janë mbajtur protesta në Graçanicë, qytetarët kanë kundërshtuar arrestimin e Dragisha Millenkoviq, i cili është arrestuar nën dyshimin se ka kryer krime lufte në Kosovë gjatë viteve 1998-1999.

Millenkoviq është sjellë më 22 qershor 2023 para Gjykatës së Prishtinës dhe ndaj tij është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Policia në njoftimin për arrestim të Millenkoviq ka thënë se janë siguruar prova për ekzistimin e dyshimit të arsyeshëm se në bashkëkryerje edhe me pjesëtarë të tjerë, gjatë periudhës së luftës në Kosovë në cilësi të personave zyrtar kanë ushtruar torturë, dhunë fizike, psikike, keqtrajtime dhe maltretime çnjerëzore dhe të skajshme për jetën ndaj të burgosurve shqiptarë.

Millenkoviq gjatë kohës së luftës sipas Policisë ka shërbyer si gardian i burgut në Prishtinë dhe në paralelen e ndarë nga Prishtina, konkretisht në burgun e Lipjanit.

Dhuna që ai dyshohet se ka ushtruar ndaj të burgosurve shqiptarë, sipas Policisë, ka qenë në mënyrë sistematike.

Në anën tjetër, qytetarët serbë çdo vit mbledhen në Gazimestan të Obiliqit për të shënuar përvjetorin e Betejës së Kosovë të vitit 1389. Këtë vit u njoftua se Festa e Vidovdanit do të mbahet në Graçanicë.

Sipas Policisë, Vidovdani nesër fillon rreth orës 07:00. Policia ka thënë se edhe këtë vit sikurse edhe vitet e kaluara me qëllim që situata të kalojë qetë dhe pa incidente, janë paraparë disa masa dhe objektiva strategjike për implementim gjatë ditës së nesërme, siç janë parapërgatitja dhe ndërmarrja e masave të nevojshme planifikuese, koordinuese, preventive dhe operative në mënyrë që aktivitetet të zhvillohen në suaza normale, të rendit dhe qetësisë publike.

Tutje është thënë se nesër do të ketë edhe shtim të masave të sigurisë për të garantuar rend, qetësi dhe siguri publike.