ZKA: MAShTI subvencionoi OJQ edhe pse nuk kishin ofruar dëshmi që s’janë nën hetime
Zyra Kombëtare e Auditorit ka gjetur mangësi në procesin e subvencionimit të OJQ-ve nga ana e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit gjatë vitit 2021.
Sipas ZKA-së, në dy mostra të testuara në vlerë 41,463€ respektivisht 39,680€, vërejtëm se OJQ-të përfituese nuk kishin ofruar dëshmi para nënshkrimit të kontratës, se personi përgjegjës në OJQ nuk është nën hetime për vepër penale (dëshmitë janë ofruar gjatë auditimit në muajin maj 2022).
Auditori shton se njëra OJQ nuk kishte ofruar dëshmi vërtetimin për të dëshmuar se nuk ka borxhe ndaj ATK-së, por kishte ofruar një deklaratë që ka probleme teknike në sigurim të vërtetimit në ATK.
Kjo ka ndodhur në thirrjen publike për ofrimin e mbështetjes financiare për financimin e projekteve të OJQ-ve që drejtojnë qendra mësimore që mbështesin nxënësit romë, ashkali dhe egjiptianë, si dhe nxënës të tjerë, që kontribojnë në arritjen arsimore.
Në këtë thirrje kërkohej dëshmi para nënshkrimi të kontratës që personi përgjegjës në OJQ nuk është nën hetime për vepër penale, dhe dëshmi nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) se OJQ-ja nuk ka borxhe tatimore dhe detyrime të tjera të papaguara.
ZKA thotë se kjo kishte ndodhur si rezultat i pa përgjegjësisë nga ana e personave të obliguar për tu siguruar se gjithë procesi ishte zhvilluar në pajtueshmëri të plotë me kërkesat e thirrjes publike.
Auditori më tej ka shtuar se mos përfillja e plotë e kërkesave të kërkuara me thirrjen publike mund të rezultojë në përzgjedhje jo të drejt e të bazuar në kërkesa ligjore, shkelje të parimit për trajtim të barabartë të aplikuesve duke rrezikuar që mjetet të mos shpenzohen për qëllimin e dhënë.
Zyra Kombëtare e Auditimit ka rekomanduar ministren, Arbërie Nagavci që të siguroj që kriteret e vendosur në thirrjen publike të aplikohen në tërësi dhe që kontratat të nënshkruhen vetëm pasi të jenë plotësuar të gjitha kërkesat e përcaktuara në thirrjen publike.