Rektorati i Universitetit të Prishtinës | Foto KALLXO.com

ZKA: UP-ja vonoi pagesat e faturave deri në 171 ditë

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), ka gjetur se gjatë vitit 2021 Universiteti i Prishtinës ‘Hasan Prishtina’,  ka ripërsëritur problemin me vonesa në pagesën e faturave.

ZKA në raportin e saj ka thënë se në tre raste të testurara në vlerë mbi 400 mijë euro, kanë vërejtur se faturat nuk ishin paguar brenda afatit ligjor prej 30 ditësh.

Sipas ZKA-së këto pagesa përfshijnë: Pagesa për “Mbeturina” me vlerë 5,188 euro kishte 34 ditë vonesë, pagesa “Rregullimi i rrugëve ne FBV” me vlerë 100,119 euro me 171 ditë vonesë dhe pagesa “Furnizim me pajisje dhe materiale të ndryshme në Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike FIM” me vlerë 316,214 euro me 53 ditë vonesë.

ZKA ka theksuar se kjo praktikë ishte raportuar edhe në raportet e viteve të kaluara dhe si e tillë, po përsëritet vit pas viti për shkak të dobësive në kontrollet e brendshme sa i përket pagesës së faturave me kohë.

Auditori ka theksuar se vonesat në realizimin e pagesave mund të ndikojnë që Universiteti të jetë objekt i padive gjyqësore dhe mund të paguaj edhe shpenzime shtesë të procedurave si dhe vonesat në pagesa mund të krijojnë implikime buxhetore për vitin fiskal vijues.

ZKA ka thënë se rektori duhet të siguroj që të gjitha faturat e pranuara të paguhen brenda afatit të përcaktuar ligjor prej 30 ditësh dhe porositja e mallrave apo shërbimeve bëhet vetëm atëherë kur paraprakisht janë siguruar fondet apo ndarë mjetet buxhetore të mjaftueshme për pagesë.