Veseli: Në dhjetor Kuvendi merr hapa përfundimtar për transformimin e FSK-së

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, e ka pritur sot në takim komandantin e ri të KFOR-it në Kosovë, Lorenzo D’Addario.

Gjatë këtij takimi Veseli e ka uruar D’Addario për detyrën e re dhe i ka ofruar  bashkëpunim të plotë institucional në funksion të përmbushjes së detyrave dhe misionit të tij në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim.

Veseli e ka njoftuar komandantin e ri të KFOR-it për hapat përfundimtarë që do të ndërmerr Kuvendi i Republikës së Kosovës gjatë muajit dhjetor për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura.

“Forcat e Armatosura të Kosovës do të jenë një forcë e përgatitur mirë, multietnike dhe aleate e denjë e NATO-s për të ofruar paqe në gjithë rajonin dhe më gjerë”, tha Veseli.

Ndërsa D’Addario, e ka njoftuar Veselin për gjendjen e sigurisë në Kosovë e cila është e qetë dhe stabile, ndërsa theksoi se KFOR-i ka bashkëpunim të ngushtë me të gjitha institucionet e sigurisë në Kosovë.

Veseli dhe D’Addario, po ashtu kanë diskutuar për zhvillimet politike dhe të sigurisë në vend dhe për të arriturat e shtetit të Kosovës në të gjitha fushat.

Ky takim ishte i mbyllur për media.