Kreu i Kuvendit dhe koordinatori i MCC-së bisedojnë për investimet amerikane – Foto: Kuvendi i Kosovës

Veseli e Selimi Bisedojnë për Investimet Amerikane

Kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, ka pritur në një takim koordinatorin nacional të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), gjatë të cilit është diskutuar për grantet e Qeverisë amerikane për investime në Kosovë, sidomos në fushën e energjisë, ujit, ambientit, sundimit të ligjit, etj.

“Kosova duhet të ndjehet krenare dhe është e bekuar që ka një partner si SHBA që i rri afër duke na ndihmuar jo veç politikisht por edhe ekonomikisht”, tha kreu i Kuvendit.

“Këto projekte investive do ta përmirësojnë ekonominë e Kosovës dhe do të punësojnë rininë tonë, duke e bërë Kosovën një vend më prosperues dhe më të fuqishëm. Projektet në sektorin e energjisë elektrike, të ujit e të ambientit, do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në tërheqjen e investitorëve të huaj”, shtoi kryetari Veseli.

Ndërsa koordinatori nacional i Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit, tha se brenda 18 muajve do t’i presim shiritat e projekteve.

“Kemi filluar një cikël konsultimesh me bartësit e institucioneve. Qeveria e Kosovës, kryeministri Mustafa e Qeveria amerikane do të fillojnë shumë shpejt implementimin e projekteve konkrete dhe besoj se brenda 18 muajve ne do presim shiritat”, tha Petrit Selimi.

Ndërsa, Veseli u ka premtuar mbështetje Selimit dhe bashkëpunëtorëve  të tij.

I pyetur se a nuk do të duhej Selimi këto gjëra t’i diskutojë me shefin e Qeverisë, si dhe a do të duhej të ishin punë e ekzekutivit takimet e premtimet e shumta që po i bën kohëve të fundit, Veseli u përgjigj duke thënë që do jetë aty ku vendi ka nevojë për ndihmë.

“Kudo qe do të ketë vend për ndihmë do të jem unë. Nuk do t’i iki përgjegjësisë. Ne jemi partnerë koalicioni deri në vitin 2018. Partia ime është e para, ka përgjegjësi institucionale. Ne duhet ta respektojmë, ndërsa Qeveria do të vazhdojë punën e vet në mënyrë intensive”, u shpreh kreu i Kuvendit, njëherësh edhe i Partisë Demokratike të Kosovës.

Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit është një degë e Qeverisë amerikane që sjell investime madhore në fusha kritike për rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Kosova është shteti i parë i Ballkanit Perëndimor që është kualifikuar për kontratën kompakte, si niveli më i lartë i kontratës me MCC, e cila sjell miliona euro në fusha kritike për krijimin e vendeve të reja të punës.

Edhe gjatë ditës së djeshme Veseli nënshkroi një memorandum me një kompani amerikane, e cila pritet të investojë në Kosovë me rreth 4 fabrika ku mund të punësohen rreth 3 mijë kosovarë.

http://kallxo.com/edhe-nje-gjeneral-tjeter-amerikan-synon-investime-ne-kosove/