Ura nën ujë | Foto: Komuna e Malishevës

Vërshimet Përfshijnë Malishevën

Si pasojë e reshjeve të mëdha gjatë gjithë natës së mbrëmshme, është rritur niveli i ujit në lumin Mirusha, e në veçanti në liqenin në Mirushë.

Ura mbi liqenin në Mirushë, që lidhë rrugën Mirushë-Gurbardh, është mbuluar nga uji dhe është e pakalueshme.

Me këtë rast, rekomandohen vozitësit që të shfrytëzojnë rrugët alternative.

Lumi Mirusha, në disa pjesë të rrjedhës së tij, ka dal nga shtrati dhe janë përmbytur tokat përgjatë lumit, por situata është e kontrollueshme.

“Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH), është duke u kujdesur në terren me ekipet e saj. Me këtë rast DMSH në Malishevë, rekomandon shkollat, që në rast të vazhdimit të reshjeve dhe rritjes së nivelit të ujërave, të marrin masa”, ka njoftuar Komuna e Malishevës.

Aktualisht procesi mësimor është duke u mbajtur në të gjitha shkollat, ndërsa nuk ka raportime për depërtim të ujit në ndonjë shtëpi banimi.