Veliu: LDK nuk ka ndonjë marrëveshje për kandidatin koncensual

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka mbaruar mbledhjen e kryesisë së Kuvendit, pas të cilës nuk u bënë prap të ditur emrat për kryetar të LDK.

Agim Veliu nënkryetar i kësaj partie kur u pyet nëse Isa Mustafa do të jetë kandidati koncensual, tha që janë duke punuar inensivisht për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të së shtunës.

“Nuk ka ndonjë marrëveshje, vetëm po punojmë intenzivisht që Kuvendi ta ketë një rrjedhë çfarë i ka hije LDK-së, si partia më e organizuar, më e madhe, si parti që e ka një cikël të rregullt të zgjedhjeve, që e ka kalu një proces shumë të mirë e të rregullte. Finalja është nesër, që do të jetë kulmi i gjithë asaj bukurie që ka ndodhë ne degë e nëndegë”, tha Veliu.

Tutje Veliu tha që është duke u punuar  për një konsenus shumë të madh.

Ndërsa i pyetur nëse është më shumë se një kandidat, nënkryetari i LDK-së tha që është e drejtë e secilit të kandidoj.

“Është e drejtë e secilit kandidat të kandidoj, ajo është e rregulluar me normat e statutit, kandidaturë ka të drejte të paraqesë secili delegat i Kuvendit nesër. Nesër është ditë kur do te shpallen kandidaturat”, Veliu.

Ndërsa nënkryetari tjetër i LDK-së, Lutfi Haziri ishte shumë i shkurtër në deklarimin e tij para mediave, duke thënë se: Jemi duke punuar të gjithë’

Një mbledhje të tillë, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e ka mbajtur edhe dje, mirëpo nuk janë bërë publik emrat e kandidatëve vetëm se është treguar se disa persona kanë shprehur interesimin për këtë pozitë.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) të shtunën e 3 gushtit do të mbajë kuvendin e nëntë zgjedhor, ku priten të zgjedhën strukturat e reja udhëheqëse të partisë. Zyrtarë të këtij subjekti politik kanë bërë të ditur se kuvendi do të mbledh 355 delegatë, ndërsa kandidaturat për kryetar të partisë do të bëhen publike vetëm të shtunën e kësaj jave.

Në mediat vendore tashmë janë përmendur disa emra potencial për ta marr drejtimin e LDK-së, si  kryetari aktual Isa Mustafa, Agim Veliu, Vjosa Osmani apo Lutfi Haziri, si dhe të tjerë zyrtarë, që haptazi kanë shprehur dëshirën për ta udhëhequr partinë, siç është ish-kryetari i këtij subjekti politik, Fatmir Sejdiu.