Vazhdon përplasja PSD-LVV për rezolutën e dialogut

Deputeti i PSD-së, Frashër Krasniqi, i është kundërpërgjigjur Lëvizjes Vetëvendosje pas reagimeve lidhur me rezolutën e dialogut Kosovë-Serbi.

Krasniqi në Facebook është shprehur kthimi i dialogut në Kuvend ia merr atë nga duart Thaçit.

“Pra nga një situatë ku Kuvendi nuk kishte asnjë edhe një mundësi të vetme vendimmarrëse tash e ka të drejtën ekskluzive për të vendosur. Dhe në fund, po, e ratifikon marrëveshjen. Me 2/3. Në konstelacionin aktual 2/3 nuk arrihen dot pa LDK dhe LVV”, ka thënë ai.

Sipas Krasniqi, deputeti i LVV-së Liburn Aliu po e shpërfaq më së miri frikën e VV-së.

“Pra, asnjë siguresë nuk vlen sepse asnjëra nuk garanton marrëveshje të dobishme për Kosovën. Dakord! Por ta shohim nga vjen kjo frikë. Pra nga kush frikësohet Liburni? Kujt nuk i beson se do të mbajë qëndrim parimor dhe në të mirë të Kosovës? LVV-së? Mos ka frikë që LVV (lexo Albini) mund të ndërrojë mendje dhe ta pranojë marrëveshjen për interesa pushteti? Apo nga LDK? Sigurisht kushdo që e lexon këtë e shohin këtë të dytën si më reale. Pra që LDK në fund ndërron mendje dhe voton”, ka shkruar ndër të tjerash Krasniqi.

Ndërkaq, Liburn Aliu nga LVV-ja përmes Facebook-ut ka vlerësuar se rezoluta e votuar për dialogun, sjell lehtësira për kompromiset ndaj Serbisë dhe atyre që janë të gatshëm ti bëjnë ato, e që sipas tij, ua asfalton rrugën para.

“Tani në vend të qeverisë së zgjedhur me së paku 61 deputetë nga 120, në negociata shkon grupi negociator i zgjedhur me shumicë të thjeshtë, pra me së paku 31 nga 61 deputetë prezent. Për kompromiset ndaj Serbisë mund të aprovohet platformë po ashtu me së paku 31 nga 61 deputetë prezent. Dhe në fund, pasi të arrihet marrëveshja na pret votimi me 2/3 që ishte edhe në të shkuarën dhe nga përvoja që kemi e dimë se ai në fund votohet”, ka shkruar ndër të tjerash Aliu në Facebook.