Vazhdon Memorandumi për Punë Praktike të Studentëve

Ministri i Financave, Avdullah Hoti dhe rektori i porsazgjedhur i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema, në një takim që zhvilluan sot u pajtuan se qysh nga e hëna, datë 11 prill 2016, bazuar në Memorandumin e Mirëkuptimit për Angazhimin e Studentëve në Punë Praktike, UP të bëjë publike thirrjen për shprehje të interesit për angazhimin e studentëve në punë praktike në Ministrinë e Financave dhe agjencitë e saj.

Ministria e Financave dhe Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” në janar të këtij viti nënshkruan Marrëveshjen për angazhimin e studentëve në punë praktike.

Nga ky memorandum pritet të përfitojnë 600 studentë gjatë një viti, prej të cilëve 100 studentë nga Fakulteti Ekonomik, 30 nga Fakulteti Juridik, 10 studentë nga Fakulteti i Shkencave Kompjuterike dhe 10 nga fakultet e tjera, sipas interesimit të studentëve.

Memorandumi do të mundësojë aftësimin profesional të studentëve të UP-së në fushat që lidhen me Ministrinë e Financave dhe agjencitë e saj dhe puna praktike që studentët kryejnë zgjatë tre muaj dhe është me pagesë.

Ministri Hoti uroi rektorin e ri për pozitën e tij dhe falënderoi për gatishmërinë për të zbatuar këtë Marrëveshje bashkëpunimi.

Ministri Hoti shprehu gatishmërinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të bashkëpunuar me Universitetin e Prishtinës në projekte të tjera që do të shkojnë në të mirë të zhvillimit të shkencës.

Ndërsa, rektori Marjan Dema tha se ky Memorandum është një mundësi e jashtëzakonshme për Universitetin, në veçanti për studentët e disa njësive akademike duke u krijuar të mira domethënëse për studimet e tyre.

Praktikë e Studentëve në Ministrinë e Financave