Ushtarët shqiptarë duke transportuar me barelë nëpër borë një të sëmurë - Foto: Facebook/OltaXhacka

Ushtarët Shqiptarë Ecin 3 Orë në Borë për ta Shpëtuar një Grua të Sëmurë

Pas 3 orë ecjeje në këmbë, Forcat e Armatosura të Shqipërisë kanë arritur të transportojnë për në spitalin rajonal të Kukësit një 38-vjeçare, e cila ishte e bllokuar në shtëpinë e saj në fshatin Tejdrinë, ndërkohë që ishte në gjendje të rëndë shëndetësore.

Lajmin e ka bërë publik ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, përmes një postimi në profilin e saj në “Facebook”.

Sipas ministres, Trëndafile Miçi, nënë e dy fëmijëve, paraqitej me temperaturë të lartë trupore, 40 gradë dhe e kishte të pamundur të transportohej për në spital për shkak të bllokimit të rrugës nga bora.

Ministrja ka treguar se menjëherë pas marrjes së njoftimit, efektivët e Brigadës së Mbështetjes Rajonale të Kukësit dhe një mjet i rëndë janë nisur drejt fshatit Tejdrinë.

“Për shkak të trashësisë së borës, ushtarakëve iu desh të ecnin edhe për rreth 1 orë e gjysmë në këmbë deri në shtëpinë e të sëmurës. Pas marrjes së 38-vjeçares, efektivët e transportuan me barelë deri te mjeti i rëndë, për ta dërguar më pas në spitalin e Kukësit, nën kujdesin e mjekëve”, ka shkruar ministrja Xhaçka në postimin e saj, të cilin e ka titulluar “HEROIKË”.