Përurimi i ‘Murit të Nderit’, reagojnë Buxhovi e Spahiu

Historiani Jusuf Buxhovi e politikologu Nexhmedin Spahiu kanë reaguar lidhur me mos përfshirjen e emrit të Xhafer Devës dhe të Rexhep Mitrovicës në monumentin “Muri i Nderit”, përmes së cilit nderohen familjet shqiptare që shpëtuan hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore (LDB).

Monumenti “Muri i Nderit” si shenjë nderimi për shqiptarët e Kosovës për shpëtimin e hebrenjve gjatë LDB-së është përuruar të mërkurën, 23.08.2023, në Parkun e Prishtinës.

Në “Muri i Nderit” janë shkruar emrat e 23 familjeve shqiptare të Kosovës që ndihmuan dhe shpëtuan hebrenjtë gjatë Holokaustit.

Sipas Buxhovit e Spahiut, roli i Rexhep Mitrovicës e Xhafer Devës në shpëtimin e hebrenjve ishte vendimtar.

Historiani Buxhovi ka shkruar se për nga pikëpamja historike ky monument paraqet një të vërtetë të cunguar, meqë, siç ka shkruar ai në këtë memorie publike përjashtohet roli vendimtar i qeverisë së atëhershme shqiptare të kryesuar nga Rexhep Mitrovica dhe ministri i brendshëm Xhafer Deva në marrjen në mbrojtje shtetërore të hebrenjve, nga deportimi i tyre nga gjermanët, për ç’gjë ka edhe dëshmi të shumta edhe nga autorët e njohur izraelit.

“Me këtë rast po sjell vetëm një prej tyre, atë të Joy Weistain, për t’u parë ky veprim ndër më të guximshmit e kohës në raport me Vermahtin gjerman: Në fund të vitit 1943 gjermanët kërkuan një listë të të gjithë hebrenjve që jetonin në Shqipëri dhe në pranverën e vitit 1944 nazistët i kërkuan zyrtarisht regjencës një lisitë të ngjashme  që hebrenjtë të mblidheshin në një vend. Në bazë të thirrjeve të liderëve hebrenj, ministri i Brendshëm Xhafer Deva REFUZOI kërkesën e gjermanëve, duke u shprehur se një lëvizje e tillë do të përbënte INTERFERENCË në çështjet shqiptare”- ka shkruar Buxhvovi.

Nexhmedin Spahiu, politikolog, përmes postimit të tij në Facebook, e ka quajtur të çuditshëm mungesën e personaliteteve, si ka shkruar ai, më meritorë për shpëtimin e hebrenjve: ministrit të brendshëm Xhafer Deva e kryeministrit Rexhep Mitrovica, në “Murin e Nderit”.

“Në Prishtinë qenka vendosur muri i nderit me emrat e atyre që u ndihmuan hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Çuditërisht në këtë listë po mungojnë emrat e dy personaliteteve më meritorë për shpëtimin e hebrenjve: ministrit të brendshëm Xhafer Deva e kryeministrit Rexhep Mitrovica. Dhjetëra persona privatë në murin e nderit mundë të shpëtonin qindra hebrenj, por numri i tyre nuk do të pesëfishohej sikur hebrenjtë të mos mbroheshin nga kryeministri Rexhep Mitrovica e ministri Xhafer Deva”, ka shkruar Spahiu.

Qeveria e Rexhep Mitrovicës (5 nëntor 1943 – 16 qershor 1944) u formuar pas pushtimit të Shqipërisë nga Gjermania Fashiste. Mitrovica së bashku me ministrin e Brendshëm, Xhafer Devën, sipas historianëve kanë meritat kryesore për shpëtimin e hebrenjve në Shqipëri dhe Kosovë.

Monumenti që u vendos në parkun e qytetit në Prishtinë u mundësua nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan dhe Shoqata e Miqësisë Kosovë-Izrael.

Në ceremoninë e inaugurimit të këtij monumenti morën edhe Shirley dhe Joe Dioguardi nga Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane, kryeministri Albin Kurti, kryetari i Prishtinës Përparim Rama, ambasadorë, nga hoqata e Miqësisë Kosovë-Izrael, pjesëtar të familjeve që shpëtuan hebrenjtë e qytetarët tjerë.