Hapësirat e Universitetit të Prishtinës | Foto: KALLXO.com

UP-ja para universiteteve të tjera publike të Kosovës në Webometrics

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” është radhitur më mirë se universitetet e tjera publike të Kosovës në ranglistën e universiteteve të botës.

Kështu UP-ja në përditësimin e muajit janar të Webometrics është ranguar në vendin e 1471, duke u ngritur për 1662 pozita më lart në krahasim me vitin e kaluar që zinte vendin e 3133-të në periudhën e njejtë.

Sa i përket radhitjeve të universiteteve të tjera publike të Kosovës, pas Universitetit të Prishtinës është ranguar Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini” që zë vendin e 12 mijë 627 në nivel botëror.

Pas tij është Universiteti i Prizrenit “Ukshin Hoti” që pozicionohet në vendin e 13 mijë e 501 në mesin e 30 mijë universiteteve të botës.

Më poshtë se ky universitet ka dalur Universiteti i Pejës “Haxhi Zeka” që është listuar në vendin e 16 mijë e 895 në ranglistën e Webometrics për peridhurën janar.

Pak më keq se ky universitet janë listuar ai i anamoravës, Universiteti i Gjilanit “Kadri Zeka” dhe Universiteti i Gjakovës “Fehmi Agani”.

Sipas Webometrics, UKZ zë vendin e 19 mijë e 815 ndërsa ai i Gjakovës pozicionohet në vendin e 23mijë e 311 në nivel botëror.

Ndërsa, Universiteti i Ferizajit nuk është i përfshirë në këtë rangim.

Universiteti i Prishtinës po ashtu është i vetmi universitet publik që ka arritur të futet në listën prej 5 mijë universiteteve të ranguara sipas citimeve në Google Scholar.

Webometrics konsiderohet si një nga ranglistat më të rëndësishme botërore sepse ndjek trendet e transformimit të arsimit të lartë me mbështetjen e teknologjisë së komunikimit e informimit.

Rangimi sipas Webometrics merr për bazë njohjen e nivelit të mirë të punës shkencore të botuar, si dhe përmbajtjen dhe shpërndarjen e informacionit nga burimet elektronike nga institucionet përkatëse.

Webometrics është ranglistë e grupit hulumtues Cybermetrics Lab, që është pjesë e institucionit më të madh kërkimor publik në Spanjë, Këshillit të lartë për kërkime shkencore (CSIC).

Në top universitetet botërore, listës i prijnë universitetet amerikane, të udhëhequr nga Universiteti i Harvardit, ndërsa më së larti në Evropë është ranguar Universiteti i Oksfordit.

Ranglista e universiteteve botërore sipas Webometrics, publikohen rezultatet dy herë në vit, në muajin janar dhe në muajin korrik kurse në të përfshihen rreth 30 mijë universitete botërore.

Këtu mund të shihni rangimin e universiteteve botërore.