Logo e Universitetit të Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Universiteti i Prishtinës rangohet për herë të parë në databazën e Scimago-s

Për herë të parë Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” është renditur në vendin e 713-të në data bazën e Scimago-s.

Në këtë renditje, UP-ja është institucioni i vetëm i Kosovës që renditet në këtë listë nga 5637 institucione të tjera të përfshira të botës.

Ndërkaq sa i përket Evropës Lindore, UP-ja zë vendin e 87 duke lënë mbrapa Universitetin e Malit të Zi.

 Më këtë rast, rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Marjan Dema tha se kjo arritje është jashtë suksesit që ai e ka paraparë gjatë mandatit të tij.

“Kur e mora detyrën e kreut të UP-së vendosa objektiv para vetës time që të rangoj universitetin mbi 1000 vende më lartë në Webometrics, por suksesi i renditjes në data bazën  e Scimago-s është një sukses që nuk e kam parashikuar as nuk e kam përfshirë në objektivat e mia. Nga tani UP-ja renditet në top 800-shen e institucioneve shkencore në botë”, tha Dema.

Zëvendës ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Heset Sahiti, tha se ky sukses na motivon edhe me shumë për shkencën.

“Në emër të MASHT të përgëzoj rektorin dhe të gjithë studentët për këtë sukses. Ky rezultat na obligon qe të vazhdojmë më tej të japim kontribute, jo vetëm për studentët tanë, por edhe për shkencën botërore, është një vend i merituar dhe një sukses i UP-së. Na obligon që të vazhdohet më tej edhe në lëmi të studimeve por edhe shkencës, ti japim kontribute dhe për shkencën botërore.”, ka thënë ai.

Kurse, Carl Hammerdorfer, shefi i programit të transformimit të lidershipit nga USAID, tha se me këtë është vërtetuar një punë e mirë nga ana e UP-së.

“Urime universiteti të Prishtinës për progresin e bërë në nivel shkencor. Është një thënie që thotë se çfarë matet është ajo çfarë menaxhohet, dhe sot në këtë universitet janë matur gjërat më mirë se çdo herë në vitet 20 e fundit. USAID vazhdon të mbështes arsimin dhe shkencën edhe pse në Kosovë shpesh herë keqkuptohet termi shkencë”, tha ai.

Sipas prorektorit për kërkime shkencore në UP, Faton Berisha, ky sukses i tejkalon pritjet e tij për arritje shkencore gjatë mandatit të menaxhmentit aktual të UP-së, veçanërisht nga aspekti i kualitetit të kërkimeve shkencore.