Sqarimin e UP-së për rangimin botëror, ORCA e quan humbje të seriozitetit

Pas sqarimit publik që ka bërë sot Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” në lidhje me rangimin e tij në listën e universiteteve botërore Webometrics, organizata ORCA ka reaguar duke shprehur shqetësim me siç e kanë quajtur ata ‘humbjen e seriozitetit dhe me sharlatanizmin e zyrtarëve të Universitetit të Prishtinës’.

Sipas ORCA-s, deklarata e sotme e UP-së përmes të cilës ‘e bën joserioze databazën Webometrics dhe UP-në e cila mendon se rritja e cilësisë matet me algoritme robotike’.

Në komunikatën e ORCA-s gjithashtu thuhet se kjo deklaratë e UP-së ‘përbën gënjeshtrën e radhës pasi databaza Webometrics asnjëherë nuk e ka llogaritur brenda UP-së universitetin në veri të Mitrovicës’.

“Kjo gënjeshtër e paskrupullt tregon edhe njëherë se menaxhmenti aktual nuk e ka ndërmend të merret me problemet brenda por me agjitacion dhe propagandë. Që nga vitit 1999, Serbia nuk ka përgjegjësi për shkatërrimin sistematik të UP-së nga shqiptarët dhe menaxhmentet e papërgjegjshme si menaxhmenti aktual”, thuhet në komunikatë.

Kjo organizatë ka kërkuar përgjegjësi dhe llogaridhënie nga zyrtarët relevant të cilët sipas ORCA-s, ‘për javë me radhë po ushtrojnë agjitacion dhe propagandë me qëllim të vënies së publikut në lajthitje’.

“Për t’i kthyer në tokë zyrtarët e propagandës dhe agjitacionit brenda UP-së, ORCA thekson se sot në UP mbajnë tituj akademikë 59% të profesorëve që nuk i justifikojnë titujt e tyre akademikë për shkak të mungesës së punimeve shkencore. Po ashtu 33% e profesorëve të UP-së kanë publikuar të paktën një punim në revista të dyshimta”, thuhet tutje në komunikatën e ORCA-së.

Universiteti i Prishtinës gjatë ditës së sotme kishte dërguar sqarim rreth uljes apo ndryshimit në ranglistën e universiteteve botërore “Webometrics”, duke deklaruar se përpjekjet e stafit akademik të UP-së për ngritjen e profilit akademik kanë prodhuar rezultat të shkëlqyer dhe se arsyeja kryesore e këtij ndryshimi është pasojë e Universitetit ilegal në Veri të Mitrovicës.

 

https://kallxo.com/up-ndryshimi-i-renditjes-tone-ne-webometrics-pasoje-e-universitetit-ilegal-ne-veri-te-mitrovices/

.