Kryeministri grek, Alexis Tsipras - Foto: REL/AP

Tsipras i Gatshëm për Pranimin e Emrit të Maqedonisë me Referencë Gjeografike

Liderët politikë të Greqisë janë takuar dje për të diskutuar për mënyrat e mundshme për zgjidhjen e kontestit për emër me Maqedoninë.

Ky takim u bë pak ditë para se i dërguari i Kombeve të Bashkuara, Matthew Nimetz, do t’i vizitojë të dy vendet për të gjetur ndonjë kompromis.

Kryeministri i Greqisë, Alexis Tsipras, dje është takuar me liderët e të gjitha partive opozitare parlamentare, me përjashtim të partisë së krahut ekstrem të djathtë, Agimi i Artë, raporton AP nga Athina.

Pas takimit, Tsipras deklaroi se është i përgatitur për të pranuar “emër të përbërë…me referencë gjeografike ose historike” ku do të përfshihej emri Maqedoni. Kjo do të thotë se emri mund të jetë Maqedonia e Epërme ose Maqedonia e Re.

Megjithatë, ai ka pranuar se “ende kemi rrugë të gjatë” para se të arrihet ndonjë marrëveshje. (REL)