Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev dhe homologu i tij grek, Alexis Tsipras, në Prespë - Foto: REL/AFP

Bashkimi Europian duhet të mësojë nga marrëveshja për emrin e Maqedonisë

Progresi drejt përfundimit të mosmarrëveshjes midis Maqedonisë dhe Greqisë është fryt i vetë maqedonasve dhe Shteteve të Bashkuara dhe shumë më pak i BE-së, e cila megjithatë duket e prirur të pretendojë meritat për këtë gjë.

Me Shkupin dhe Athinën që duket se po zgjidhin tashmë mosmarrëveshjen e tyre një çerek shekulli të gjatë në lidhje me emrin e Maqedonisë, gjendja shpirtërore në Bruksel dhe kryeqytetet kryesore europiane është triumfuese.

Dy vitet e fundit kanë qenë një periudhë e vështirë për Ballkanin Perëndimor dhe BE-në. Në epokën e Donald Trump, Brexit, Sirisë, Jemenit, Ukrainës dhe tensioneve të ripërtërishme politike në rajon, lajmi i mirë është diçka pozitive.

Për BE-në, ngjarjet në atë që së shpejti do të jetë Maqedonia e Veriut janë të rëndësishme, sepse ato duket se demonstrojnë fuqinë transformuese të vazhdueshme të perspektivës së anëtarësimit në BE.

Me fjalë të tjera, BE-ja mbetet një synim joshës për shtetet në Ballkanin Perëndimor që mund të mbledhë vullnetin politik për kompromis edhe kur bëhet fjalë për mosmarrëveshjet më të ashpra.

Në këtë lexim deri diku selektiv të historisë, thuhet shumë pak për një vullnet politik të një lloji tjetër; domethënë, mungesa e vullnetit politik në BE dhe në vendet anëtare individuale për të njohur mungesën alarmante të mekanizmave të besueshëm të politikës së jashtme në dispozicion të Brukselit dhe krizën e thellë të legjitimitetit që ka shkaktuar kjo në Ballkanin Perëndimor.

Çështja maqedonase është një shembull klasik i asaj shprehjes së urtë që fitorja ka njëqind etër, por humbja është jetim.

Brukseli dhe madje edhe kryeqytetet individuale në bllok kanë prirje të kërkojnë merita për atë që ka ndodhur në Maqedoni, por pretendimet e tyre për këtë proces janë të dyshimta. Tre grupe janë përgjegjëse për progresin në Maqedoni. Asnjë prej tyre nuk është BE-ja, as shtetet e saj anëtare.

Palët përgjegjëse janë shoqëria civile maqedonase, e cila rrëzoi nga pushteti Nikola Gruevskin; qeveria e Zoran Zaev, e cila pasoi regjimin e tij dhe filloi një axhendë të besueshme reforme, edhe pse me ndihmën e BE-së; dhe SHBA-ja, sidomos ish Zv/Ndihmës Sekretari i Departamentit Amerikan të Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Hoyt Yee.

BE-ja, nga ana tjetër, ishte një aktor anësor në këto zhvillime. Dhe disa shtete anëtare, si Austria, Hungaria dhe Franca, për shembull, mund të karakterizohen sikur kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë, sidomos në rastin e Parisi, në mënyrë aktive armiqësore ndaj progresit kuptimplotë dhe llojit të diplomacisë praktike që kërkohet në Maqedoni dhe, në mënyrë të vazhdueshme, në Ballkanin Perëndimor.

Pastaj mos harroni gjithashtu se e gjithë çështja “e emrit” ishte kryesisht produkt i ngacmimeve politike nga breza të njëpasnjëshëm nacionalistësh në Greqinë anëtare të BE-së.

Siç kam shkruar më parë për rolin kryesor të vetë maqedonasve në fillimin e gjithë këtij procesi, le të përqendrohemi më shumë në çështjen e pazgjidhur: Pse SHBA-ja qe e suksesshme për ta detyruar presidentin maqedonas Gjorge Ivanov që të lejonte koalicionin e udhëhequr nga social demokratët e Zaevit të formonin në qeveri, kur përpjekjet e BE-së për këtë gjë nuk ishin të tilla?

Kjo ishte për shkak se Ivanovi dhe establishmenti i VMRO-DPMNE-së kishin frikë nga aftësia e Uashingtonit për t’i lënduar, politikisht dhe financiarisht. Shkurt, SHBA-ja ishte e gatshme të vendoste sanksione ndaj Ivanovit dhe anëtarëve kyç të VMRO-DPMNE-së. Ajo ishte e gatshme të hiqte ose komplikonte seriozisht lirinë e tyre financiare dhe fizike të lëvizjes.

Ne mund të supozojmë gjithashtu se SHBA-ja ishte e gatshme të ndante me publikun maqedonas ende aspekte më të egra nga ato që njiheshin më parë në lidhje me skemën e përgjimeve të paligjshme të ish-regjimit, si edhe përpjekjet e tij të ndryshme për të organizuar dhunë, përfshirë në parlament, për të mbajtur me dhunë pushtetin.

Shtetet e Bashkuara kishin ndikim, sepse mund t’i shkaktonin pasoja të rënda aktorëve të këqij. Ajo që është shqetësuese nuk është se BE-ja nuk ka të njëjtat mjete, por zgjedh që të mos i përdorë ato.

Brukseli mund të shmangë një farë përgjegjësie, duke pretenduar se është e vështirë të arrihet unanimitet midis shteteve anëtare për sanksionet, por vetë shtetet anëtare nuk e kanë këtë justifikim.

Në maj të vitit 2018, Jaroslaw Walesa, një eurodeputetet nga blloku i Platformës Qytetare të Polonisë, partia e Donald Tusk, presidenti aktual i Këshillit Europian, i bëri një pyetje Komisionit Europian: A munden vendet anëtare të BE-së të miratojnë sanksione të njëanshme ndaj palëve të treta, përfshirë individët?

Përgjigjja në gusht nga Federica Mogherini, shefja e politikës së jashtme të BE-së, ishte e habitshme.

Ajo u përgjigj se, sipas mendimit të Komisionit, shtetet anëtare “mund të mos ndërmarrin veprime të njëanshme pasi ato mund të ndikojnë në kompetencat e Bashkimit sipas Traktateve”, domethënë, rrjeti i gjerë i marrëveshjeve të BE-së që formojnë “kushtetutën” e bllokut.

Megjithatë, Komisioni shtoi se shtetet anëtare megjithatë mund të vendosin sanksione të njëanshme “në bazë të sigurisë kombëtare në rastet e justifikuara në mënyrë të duhur, të lidhura drejtpërdrejt me shqetësime të rënda të brendshme që ndikojnë në ruajtjen e rendit dhe ligjit, në rast lufte, tensione të serioze të brendshme që përbëjnë një kërcënim për luftë, ose për të zbatuar obligimet që ka pranuar me qëllim ruajtën e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare”.

Në aspektin politik, opinioni i Komisionit në lidhje me sanksionet e njëanshme hapi një shteg shumë të madh.

Një shtet anëtar i angazhuar të përdorë sanksionet si pjesë e mjeteve të saj për nxjerrjen e koncesioneve nga elitat obstruksioniste në shtete si Maqedonia, Kosova apo Bosnja, mund t’i justifikonte ato me arsyetimin se po vepron kështu për “të zbatuar detyrimet që ai ka pranuar me qëllim ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare”, sidomos në lidhje me një kornizë konkrete ligjore, siç është Marrëveshja e Paqes e Dejtonit e vitit 1995 për Bosnjën.

Ajo gjithashtu mund të justifikohet edhe në bazë të Axhendës së Selanikut të vitit 2003, e cila shënoi marrjen e lidershipit rajonal nga BE-ja, në të cilin të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor janë pjesë. Sulmet ndaj parlamentit nga fanatikët e VMRO DPMNE-së sigurisht që i plotësuan kushtet e mësipërme.

Kështu që nëse në kryeqytetet individuale europiane ekzistonte vullneti për një qasje më konfrontuese me elitat që po rrezikojnë sistematikisht paqen dhe sigurinë e rajonit – që nga Gruevski e deri te Milorad Dodik i Bosnjës – mjetet ekzistojnë.

Por ai vullnet politik mungon nëpër kryeqytetet dhe ndoshta edhe në BE-në në tërësi.

Si rezultat, pavarësisht krizës aktuale në Shtetet e Bashkuara, BE-ja mbetet e varur nga muskuli i Uashingtonit.

Derisa kjo të ndryshojë, ose nëpërmjet miratimit të një mekanizmi më të fuqishëm të politikës së jashtme, siç është një version i BE-së i Aktit Magnitsky, ose thjesht duke testuar mjetet aktuale nga ana e shteteve anëtare individuale, elitat e korruptuara dhe reaksionare të Ballkanit do të vazhdojnë ta destabilizojnë rajonin dhe bashkë me të edhe kontinentin.

 

Mendimet e shprehura në sektorin e Komenteve janë vetëm ato të autorëve dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.