Thirrje Nacionaliste në Manifestimin e Gazimestanit

Qindra qytetarë serbë nga Kosova dhe Serbia kanë marrë pjesë në përvjetorin e Betejës së Kosovës ndërsa Policia ka qenë e pranishme me masat e sigurisë rreth monumentit dhe nëpër rrugë.

“Kosova është fytyra e Serbisë”, “Kosovë je zemra e Serbisë”, “Kosovë vendi im i dashur” ishin vetëm disa nga thirrjet nacionaliste të pelegrinët serbë te monumenti i Gazimestanit ku sot u mbajt ceremonia qendrore e përvjetorit të 627-të të Betejës së Kosovës.

Serbët që nga ora 10:00 e ditës kishin filluar të grumbullohen në Gazimestan për festën e “Vidovdanit”. Përveç veturave private pelegrinët serbë erdhën edhe në mënyrë të organizuar  me autobusë nga e gjithë Kosova dhe Serbia.

Rektori i shkollës teologjike të Prizrenit Milutin Timotijeviq, u tha pelegrinëve serbë që të mos harrojnë se Car Lazari “u flijua për ta”.

“Mos harroni Llazari ka dhënë jetën për ne, ai u bë viktimë për ne, nuk mund të jetohet pa u viktimizuar sepse dashuria është viktimë dhe çmimi i kësaj dashurie është vdekja”, tha rektori Timotijeviq.

Me pas klerikët ortodoks serbë kënduan rite fetare që ndërlidheshin më Car Lazarin dhe Betejën e Kosovës.

Dhe kur pritej të përfundojë manifestimi në vendin ku ishin klerikët serbë, u ngjiten një grup i të rinjve serbë dhe filluan të këndojnë këngë nacionaliste për Kosovën si  “Kosova është fytyra e Serbisë”, “Kosovë je zemra e Serbisë”, “Kosovë vendi im i dashur”

Policia e Kosovës kishte ndarë në dysh njërën korsi të magjistrales Prishtinë Mitrovicë për t’u mundësuar qasje sa me të lehtë pelegrinëve serbë në autostradën “Ibrahim Rugova”.