Ilustrim

Policia flet për angazhimet që do të merren nesër për festën e Bajramit dhe për Vidovdan

Policia e Kosovës ka njoftuar për veprimet planifikuese dhe operacionale për menaxhimin e situatës së sigurisë në vend për ditën e nesërme për festimin e Kurban Bajramit si dhe për Vidovdanin.

Sipas Policisë, festimi i Kurban Bajramit do të filloj në orët e hershme të mëngjesit, rreth orës 05:00, si dhe Vidovdani, që fillon rreth orës 07:00.

Policia ka thënë se edhe këtë vit sikurse edhe vitet e kaluara me qëllim që situata të kalojë qetë dhe pa incidente, janë paraparë disa masa dhe objektiva strategjike për implementim gjatë ditës së nesërme, siç janë parapërgatitja dhe ndërmarrja e masave të nevojshme planifikuese, koordinuese, preventive dhe operative në mënyrë që aktivitetet të zhvillohen në suaza normale, të rendit dhe qetësisë publike.

Tutje është thënë se nesër do të ketë edhe shtim të masave të sigurisë për të garantuar rend, qetësi dhe siguri publike.

Policia do të angazhohet në garantimin e lirisë së lëvizjes për të gjithë qytetarët si dhe kontrollimi dhe menaxhimi i rrjedhës së trafikut në të gjitha rrugët magjistrale, rajonale dhe ato lokale.

Zyrtarë policorë do të angazhohen edhe për ri-orientim të trafikut në ato rrugë ku mund të ketë ndërprerje të përkohshme të rrugës apo të ndonjë korsie.

Po ashtu, në njoftimin e Policisë është thënë se do të ketë zbatim të kompetencave dhe autorizimeve ligjore, përballë situatave të ndryshme dhe marrja e masave ndaj të gjithë shkelësve të ligjit, konform ligjeve të Republikës së Kosovës.

Festa e Vidovdanit u njoftua se do të mbahet në Graçanicë, andaj do të ndërpritet përkohësisht edhe qarkullimi i automjeteve në hyrje-daljet e komunës së Graçanicës.

Konkretisht, do të ndërpritet qarkullimi në hyrje të fshatit Mramor dhe nga ana tjetër në hyrje të lagjes Veternik, ku automjetet do të riorientohen në rrugë alternative deri në përfundim të festës së Vidovdanit.

“Referuar planifikimeve policore, menaxhmenti i lartë i PK-së kanë pritur në takim zyrtarë partnerët ndërkombëtar, të cilët i kanë njoftuar lidhur me planifikimet dhe aktivitetet policore për ditën e nesërme, planifikime këto që kanë për qëllim krijimin e një ambienti të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët pa dallim” – ka thënë Policia.

Tutje është thënë se Policia mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe autorizimeve të saj ligjore, zbatimin e Kushtetutës së Kosovës në funksion të garantimit të një mjedisi të qetë e të sigurt për të gjithë qytetarët.

Njëkohësisht Policia ka ftuar qytetarët që të festojnë në mënyrë të qetë dhe kërkon mirëkuptim nga pjesëmarrësit në trafik me rastin e ndërprerjes së përkohshme të rrugëve apo korsive përgjatë kohës së festimeve, pasi sipas nevojës do ti ridrejtojë automjetet në rrugë alternative për qarkullim dhe lëvizje pa pengesa.