Aktakuzë ndaj personit që u arrestua dje gjatë manifestimit për Vidovdan

Prokuroria e Prishtinës ka ngritur aktakuzë ndaj personit i cili është ndaluar gjatë ditës së djeshme nga Policia e Kosovës në festën religjioze ortodokse të Vidovdanit.

Ai u arrestua nën dyshimin se kishte bërë nxitje të përçarjes dhe mosdurimit.

Zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj, në një përgjigje për KALLXO.com ka bërë të ditur se sot Prokurori i Shtetit ka ngritur aktakuzë ndaj të dyshuarit për veprën penale – nxitja e përçarjes dhe mosdurimit, me propozimin për caktim të masës së paraburgimit.

Për këtë festë, në Gazimestan të Obiliqit u mblodhën me qindra qytetarë serbë të Kosovës e të Serbisë, të cilët me këngë e simbole nacionaliste serbe manifestuan për Vidovdanin.

Policia e Kosovës ishte përkujdesur për mbarëvajtjen e festës. Ata kanë kthyer si dhe kanë zhveshur qytetarë që mbanin veshur fanela me mbishkrime nacionaliste.

Madje, në një komunikatë të Policisë është treguar se në tri raste të ndara, në pikat e kalimit kufitar në Vërmicë dhe në Kullë, kanë ndaluar për kontroll dhjetë persona serbë, shtetas të Malit të Zi.

Gjatë kontrollit në bagazhet e automjeteve të tyre, Policia ka thënë se janë hasur disa fanela të dyshuara me mbishkrime të nxitjes së urrejtjes.

Policia i kthen mbrapa qytetarët serbë që kanë veshur bluza me simbole e thirrje nacionaliste