Thaçi udhëton në ShBA për vizitë zyrtare

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka udhëtuar për vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku do të zhvillojë takime me përfaqësues të lartë të Shtëpisë së Bardhë, të Departamentit të Shtetit, Kongresit, Senatit.

Sipas një komunikate për medie, Thaçi në Shtëpinë e Bardhë do të zhvillojë një takim me John Bolton, këshilltar për Siguri Kombëtare i Presidentit të SHBA-së, Donald Trump.

Thaçi, po ashtu, do të takohet edhe me Sekretarin e Departamentit të Shtetit, Mike Pompeo si dhe në Dallas do të ketë një takim të veçantë edhe me ish-presidentin e SHBA-së, George W. Bush.

Në këto takime, Thaçi do të bisedojë për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy shteteve, për perspektivën euroatlantike të Kosovës dhe për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obliguese ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila i siguron Kosovës njohje nga Serbia dhe i hap rrugë për anëtarësim në BE, NATO dhe OKB.

Presidenti po ashtu  do të ketë takime të shumta edhe me kongresistë dhe senatorë amerikanë, të cilët në dy dekadat e fundit e kanë mbështetur Kosovën.

Sipas komunikatës, vizita e presidentit Thaçi në Uashington vjen në një periudhë të rëndësishme për vendin, ku Kosova është duke bërë përpjekje për konkretizimin e perspektivës euroatlantike dhe arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë, e cila duhet të rezultojë me njohjen reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB.