Thaçi Shtyn Drejtësinë të Veprojë në Krimet e Luftës e Pasluftës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha sot se ka shpërndarë katër letra në adresë të Kryeprokurorit të Shtetit dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës për të kërkuar nga organi i akuzës të veprojë në drejtim të zbardhjes së krimeve që luftës e të pasluftës në Kosovë, që tash e gati dy dekada mbeten të pazgjidhura.

Në letrat për të cilat foli para gazetarëve, Thaçi tha se pret që prokurorët të veprojnë tani, ndërsa premtoi se do t’i mbështesë ata në punë e tyre.

Thaçi e lexoi një deklaratë para gazetarëve por nuk pranoi t’u përgjigjet pyetjeve të tyre.

Në fillim ai tha se e përgëzon sistemin e drejtësisë në Kosovë për “punën e suksesshme”, por përmendi dhjetra raste të cilat ky sistem ka dështuar t’i trajtojë tash e 17 vjet.

Ai tha se katër letrat drejtuar prokurorisë i ka nisur duke u bazuar në mandatin e tij si President “dhe si përfaqësues i unitetit të Kosovës”.

Në letrën e parë, Thaçi tha se ka kërkuar zbardhjen e krimeve të luftës të kryera nga forcat serbe në Prekaz, Reçak, Izbicë, Likoshan, Lubeniq, Grashticë dhe në rastet tjera të vrasjes së shqiptarëve të Kosovës nga forcat serbe.

Në letrën e dytë ai ka kërkuar që prokurorët t’i përvishen punës në zbardhjen e vrasjeve të pasluftës siç është rasti i vrasjes së vëllezërve Bytyçi, shqiptarë me shtetësi amerikane, tentim- atentatin ndaj ish Presidentit Ibrahim Rugova në Prishtinë në vitin 2005 si dhe rastet e vrasjes së serbëve në Grackë, Gorazhdec dhe në autobusin e Nish Express.

Në letrën e tretë, ai ka kërkuar angazhim të prokurorëve në hetimin e dhunimit të grave në Kosovë nga forcat serbe gjatë luftës.

“Kjo plagë është mbajtur e heshtur padrejtësisht mjaft gjatë por falë guximit të viktimave të këtij krimi kemi mbledhur mjaft fakte. Qytetarët e Kosovës, viktimat dhe shoqëria kanë nevojë për drejtësi”, tha Thaçi.

Ndërsa në letrën e katërt ai ka kërkuar që të hetohen rastet e shkatërrimit të trashëgimisë kulturore e fetare gjatë dhe pas luftës.

“Zbardhja e së vërtetës në këto raste do ta fuqizonte besimin e qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë në drejtësinë në Kosovë”, tha Presidenti Thaçi.

Ai shpjegoi edhe arsyen pse këto letra të tij vijnë me vite të tëra vonesë.

“Për arsye se nga qershori i këtij viti, pothuaj të gjitha kompetencat ekzekutive janë bartur nga EULEX te qeverisja vendore. Unë jam President i vendit dhe u drejtohem institucioneve në mënyrë të drejtpërdrejtë”, tha ai.