Thaçi shpallet Qytetar Nderi i Bashkisë së Hasit

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot është shpallur “Qytetar Nderi” i Bashkisë së Hasit.

Ky titull nderi, sipas kryebashkiakut të Hasit, Adem Lala, i është ndarë presidentit Thaçi për kontributin e pazëvendësueshëm për çlirimin e trojeve shqiptare si lider politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe për vlerësimin që i ka dhënë popullit hasjan si mbështetës të denjë gjatë luftës së Kosovës.

Presidenti Thaçi ka thënë se ky është një moment i veçantë, sepse kur mendojmë ku ishim para 20 vjetësh dhe ku jemi sot, mund të themi lirisht se Kosova dhe shqiptarët, të pamundurën e bënë të mundur, si dhe robërinë, agresionin dhe gjenocidin e Serbisë arritën të ndalin dhe të fitojnë lirinë, ta çlirojnë Kosovën.

Thaçi theksoi se qysh në moshë të re e njeh këtë trevë dhe i njeh familjet hasjane, edhe në Nikoliq, edhe në fshatrat përreth Krumë, Kukës e Tropojë.

“S’ka qenë gjendja sociale çfarë do duhej të ishte. Por, shpirti juaj ishte i madh dhe e luftonte dhe tejkalonte çdo pengesë për të ndihmuar çlirimin e Kosovës. Ju i dhatë 36 dëshmorë të kombit për çlirimin e Kosovës”, shtoi presidenti Thaçi.

Ai ka thënë se së pari nëpër Has ka kaluar edhe një nga shtetndërtuesit e shtetit shqiptar, Hasan Prishtina, por kanë kaluar edhe Azem Bejta dhe Shotë Galica, si dhe të gjithë çlirimtarët që kanë kontribuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, në periudha të ndryshme të shekullit që lamë pas.