Thaçi nga Brukseli e fton opozitën në dialog

Presidenti Hashim Thaçi ka mbajtur konferencën e dytë brenda pak orëve nga Brukseli pas takimeve që i ka pasur me përfaqësuesen e lartë të BE-së, Federica Mogherini.

Ai përmes një konferencë për media nga Brukseli i ka bërë thirrje opozitës për qasje të përbashkët karshi dialogut me Serbinë.

“Unë nuk anoj as ka pozita e as ka opozita, përfaqësoj unitetin politik dhe qytetar të Kosovë. I ftoj për dialog e për mirëkuptim dhe me një qasje të përbashkët karshi dialogut me Serbinë, të gjithë jemi ballafaquar me Serbinë, të gjtihë e duam dialogun, të gjithë e duam Kosovën në NATO dhe në BE, të gjithë e dijmë se pa një marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk ka lëvizje drejt së ardhmes evropiane”, tha në mes tjerash Thaçi.

Thaçi nuk iu është përgjigjur dilemave se cilat janë kërkesat e Serbisë në këtë dialog.

“Duhet të përmbyllet limitimi apo demarkimi prej 430 kilometrash me Serbinë në mënyrë që të njihen vendet tona. Unë nuk jam nga ata që pretendoj të di atë çfarë donë Serbia. Serbia flet për vetveten, ne flasim për vetën tonë”, tha Thaçi në këtë konferencë.

Presidenti i Serbisë ka qëndruar sot në Bruksel por takimi mes tij dhe Vuçiqit nuk është mbajtur.

Thaçi tha se nuk e di kur do të mbahet takimi i ardhshëm por beson se BE do të gjejë një kohë të përshtatshme.

“Unë nuk mund të jap ditë dhe datë por vlerësoj pozicionin dhe qëndrimin që ka marrë BE, pra në kohën më të përshtatshme që e ka përcaktuar zonja Mogherini. Kosova nuk ka asnjë arsye që të refuzoj dialogun dhe negociatat. Kosova do t’i kryej obligimet e veta dhe do të ec përpara”, tha në mes tjerash Thaçi.