Presidenti Hashim Thaçi pritet nga homologu i tij shqiptar, Bujar Nishani - Foto: Presidenca e Kosovës

Thaçi: Marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri Janë të Shkëlqyera

Gjatë një vizite në Tiranë, presidenti Hashim Thaçi ka vlerësuar si të shkëlqyera marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri. Ai ka potencuar faktin se dy vendet nuk kanë asnjë çështje diskutabile mes tyre.

Pas takimit me presidentin shqiptar, Bujar Nishani, presidenti Thaçi ka thënë se marrëdhëniet mes dy vendeve janë shembull i bashkëpunimit të mirë.

“Marrëdhëniet mes dy shteteve janë të shkëlqyera dhe tashmë kanë fituar edhe dimension të partneritetit të pandashëm strategjik, i cili i ka hapur rrugë institucionalizimit të marrëdhënieve tona në çdo fushë. Jemi model për rajonin në rrafshin e bashkëpunimit dhe kemi përparim në të gjithë sektorët”, ka thënë presidenti Thaçi sipas një komunikate të presidencës.

I pari i Kosovës theksoi edhe se ekonomia mes Kosovës e Shqipërisë ka shënuar rritje dhe në këtë rritje ka ndikuar investimi i dyanshëm në infrastrukturë rrugore.

Ndërkaq, presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, ka thënë se Kosova është konsoliduar si shtet dhe po vazhdon me sukses reformat në ekonomi, në forcimin e sundimit të ligjit, si dhe në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe të qeverisjes së mirë.

“Pas hyrjes në fuqi të MSA-së, si marrëveshje e parë kontraktuale e Kosovës me BE-në, shpresojmë që shpejt të ndodhë edhe përmbyllja e procesit të liberalizimit të vizave nga ana e Komisionit Evropian, sepse nuk ka alternativë tjetër përpos euro-integrimit të Kosovës dhe Shqipërisë”, ka thënë presidenti Nishani.

Ai ka shtuar se Shqipëria gjithmonë do të jetë avokuese e Kosovës në forume ndërkombëtare.

“Do të jemi gjithmonë përkrahës të aspiratës së Kosovës për anëtarësim në organizata dhe forume ndërkombëtare”, tha presidenti Nishani.

Dy presidentët kanë biseduar edhe për rritjen e bashkëpunimit në rrafshin akademik.

Në këtë vizitë në Tiranë, presidenti Thaçi ishte i shoqëruar nga ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, dhe ai i Bujqësisë, Memli Krasniqi.