Vizita e Thaçit në Kanada | Foto: Zyra e Presidentit

Thaçi Flet për Udhëheqjen në Kohë të Pasigurta

Presidenti Hashim Thaçi gjatë vizitës në Kanada foli në forumin me temën “Udhëheqja në Kohë të Pasigurta”.

Sipas komunikatës së Departamentit të Informacionit dhe Komunikimit me Publikun në Presidencë Thaçi në këtë forum gjatë fjalimit të tij paraqiti të arriturat e Kosovës.

“Në forumin e titulluar “Udhëheqja në Kohë të Pasigurta” para mbi 100 folësve dhe 2600 delegatëve nga mbi 40 shtete, Presidenti Thaçi prezantoi të arriturat e Kosovës si shtet i ri me mundësi të mëdha ekonomike dhe të ardhme të sigurt euroatlantike,” thuhet në komunikatë.

Sipas komunikatës Thaçi në këtë forum tha se “rasti i Kosovës është shumë specifik për shkak se zhvillimi i shtresës së mesme është shoqëruar me sfida të shumta”.

Thaçi falënderoi Kanadanë për mbështetjen e Kosovës para, gjatë dhe pas luftës, ndërsa komunikata bën me dije se ai u nda i kënaqur “me interesimin e kompanive kanadeze për të investuar në Kosovë në sektorët e minierave, energjisë, turizmit dimëror”.

Thaçi takoi edhe kosovarët që jetojnë në Kanada.

“Gjithashtu, pata rastin të takoj bashkatdhetarët tanë që jetojnë dhe punojnë në Kanada. U inkurajova nga niveli i integrimit të tyre në jetën sociale, kulturore, politike dhe ekonomike në Kanada,” tha Thaçi.

Gjatë vizitës disaditëshe në këtë shtet Thaçi u takua edhe me Kryeministrin e Republikës së Guinesë, Mamady Youla, themeluesin e Forumit Ekonomik Global të Torontos, Gil Rémillard, Ministren e Ontarios për Shtetësi dhe Imigrim, Laura Albanese, Kryetaren e Bashkisë së Mississaugas, Bonnie Crombie dhe guvernatorin e përgjithshëm të Kanadasë David Johnston.