Thaçi flet për pasojat e vonesave të integrimit në BE

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi u takua me liderët e Ballkanit Perëndimor dhe BE-së në Shkup, ku tha se kanë biseduar për të zgjidhur çështjet e hapura në rajon dhe se siç ka shkruar ai, nëse BE vonohet, vendet tjera që nuk kanë agjenda pozitive për Ballkanin do ta rrisin ndikimin në këtë pjesë.

Thaçi po merr pjesë në samitin “Bërdo-Brione”, bashkë me liderët e vendeve fqinje dhe ata të Bashkimit Evropian.

“..tash e sa vjet [samite] po shërben si një inkubator nga i cili kanë dalë shumë ide e nisma rajonale. Në takimin me liderët e Ballkanit Perëndimor dhe të Bashkimit Evropian, kemi biseduar hapur me njëri-tjetrën për të zgjidhur çështjet e hapura që kemi”, ka shkruar ai në Facebook.

Ai ka thënë që samiti i ardhshëm i Sofjes ka karakter historik.

“Nëse ne dhe BE vonohemi, atëherë të tjerët, të cilët nuk kanë agjenda pozitive për Ballkanin Perëndimor, do të shtojnë ndikimin në rajonin tonë”.

Ai ka përsëritur që BE-ja do të jetë plotë vetëm kur tërë shtetet e Evropës Juglindore të jenë pjesë e këtij komuniteti.