Presidenti Thaci dorezon leterkembimin per perfundimin e mandatit te EULEX-it Foto: ZPRK

Thaçi dorëzon letrën në BE për ta përmbyllur mandatin e EULEX-it

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi e ka dorëzuar sot tek autoritetet e BE-së letërkëmbimin me Përfaqësuesen e Lartë për Politikë të Jashtme e Siguri, Federica Mogherini, me të cilin përmbyllet mandati i deritashëm i EULEX-it.

Kjo është bërë e ditur nga Zyra për Media e Presidencës së Kosovës përmes një komunikate.

Sipas këtij njoftimi, letrën e kanë pranuar Komandanti i Operacioneve Civile të PPSM, Kenneth Deane, si dhe shefja e EULEX-it, Alexandra Papadopoulou.

“Përmbajtja e letrës është negociuar në mes palës kosovare dhe asaj të BE-së dhe parasheh përfundimin e mandatit ekzekutiv dhe reduktimin e rolit të EULEX-it në rol monitorues dhe këshillues në fazën e përmbylljes së misionit”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Presidentit.

Presidenti Thaçi ka deklaruar se institucionet e Kosovës kanë përfituar shumë nga bashkëpunimi me EULEX-in.

“Falë këtij bashkëpunimi, sot kemi ngritur kapacitetet vendore për të marrë plotësisht përgjegjësitë në sektorin e sundimit të ligjit”, citohet të ketë thënë Presidenti Thaçi.

Ai e ka vlerësuar EULEX-in si një mision të suksesshëm në Kosovës.

“Mandati i misionit të EULEX-it skadon më 15 qershor 2018, kurse misioni i ardhshëm do të jetë i përqendruar në përmbylljen e transferimit të plotë të kompetencave tek organet e Kosovës, si dhe në përmbylljen e misionit”, thuhet në përfundim të komunikatës së Zyrës së Presidentit të Kosovës.