Hashim Thaçi, President i Kosovës. Foto: Kallxo.com

Thaçi: Beogradi t’i dorëzojë të dyshuarit për vrasjen e Oliver Ivanoviqit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë sot se hetimet për vrasjen e liderit të serbëve të Kosovës, Oliver Ivanoviq janë “në një faze shumë të rëndësishme”.

Në konferencën për shtyp të fundvitit, Thaçi kërkoi nga autoritetet serbe të bashkëpunojnë në kapjen e të dyshuarve për këtë vrasje.

“Të dyshuarit kryesorë janë në Beograd kështu që Beogradi duhet të jetë kooperues, jo për strehimin por për dorëzimin e të dyshuarve”, tha Thaçi.

Ivanoviq u vra në Mitrovicën e veriut në janar të këtij viti.

Tre persona janë arrestuar lidhur me këtë vrasje ndërsa njëri ndër të dyshuarit, Milan Radoiçiq, është në arrati dhe besohet të jetë duke u fshehur në Serbi.