Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në konferencë për media, Foto: KALLXO.com

Thaçi: Askush s`na detyron të diskutojmë, e lëre të pajtohemi me ndarjen e Kosovës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se i siguron qytetarët e Kosovës se nuk do të ketë forcë që do ta detyroj Kosovën të diskutoj e lëre të pajtohet me ndarjen e Kosovës.

“Si president, me të gjitha përgjegjësitë e mia siguroj që nuk do të lejoj as të diskutohet për ndarjen e Kosovës. Janë shqetësues zërat që flasin gjëra të tilla, shqetësuese që gjëra të tilla po kalojnë te njerëzit që kanë legalitet në Kuvend dhe jashtë tij. Kudo që fliten gjëra të tilla, dhe ata që përhapin lajme të tilla me apo pa vetëdije po e sensibilizojnë idenë e kahmotshme të Serbisë për ndarjen e Kosovës”, ka deklaruar presidenti Thaçi në konferencë për shtyp.

Ai ka thënë se është duke u punuar fuqishëm që marrëveshja finale mes Kosovës dhe Serbisë të jetë në përputhje me vullnetin e qytetarëve dhe në përputhje me Kushtetutën.

“Një marrëveshje finale do të ketë kuptim nëse mbyllen me njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe, një marrëveshje kjo ligjërisht obligative. Kjo marrëveshje do të jetë një mesazh, në mundësi e madhe për Kosovën që të përshpejtoj anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare”, ka thënë Thaçi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka theksuar që Kosova duhet të arrijë marrëveshje përfundimtare me Serbinë sa më parë të jetë e mundur. Ai po ashtu ka theksuar se nëse dialogu dështon për fajin e Kosovës nuk do të pësoj Serbia por do ta pësoj Kosova.

“Nëse me fajin e Kosovës dështon dialogu mos mendoni se Kosova do ta frenojë Serbinë për anëtarësim në BE, por do të shënojmë një autogol, siç kemi bërë disa herë, ne nuk kemi kohë për të humbur, nuk është punë e një individi. Mesazhi im është që të mos vonohemi siç jemi vonuar për formimin e ushtrisë dhe për demarkacionin”, ka potencuar ai.

Thaçi tha se bota nuk na pret kështu që nëse ne nuk mund ta vëmë agjendën e botës në agjendën tonë, por duhet të shikojmë se si ta vëmë agjendën tonë në agjendën e botës.