Tensione në KPK, Shqipdon Fazliu ofron dorëheqjen

Në Mbledhjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës janë paraqitur tensione në momentin kur Koordinatori Nacional për Luftimin e Krimeve Ekonomike Shqipdon Fazliu, ka kërkuar vlerësimin e punës së këtij këshilli.

Fazliu vlerësimin e kërkoi duke parë vlerën e vogël të pasurisë së konfiskuar.

Sipas tij nga 27 milionë euro pasuri e sekuestruar vetëm 50 mijë euro janë marrë me vendim përfundimtar andaj ndër rekomandimet e shumta e ka parë të nevojshme edhe vlerësimin e punës së KPK-së.

Pas këtyre rekomandimeve ka reaguar zëvendës kryesuesi i Këshillit Arben Ismaili.

Ismaili i tha se: “Ti nuk ke te drejtë me e kërku vlerësimin e anëtarëve të KPK-së, ky raport nuk është në përputhje me rregulloren, askush nuk ka bazë ligjore dhe nuk ka të drejtë me e vlerësu punën e organit kolegjial”.

Pas kësaj Shqipdon Fazliu ofroi dorëheqjen nga pozita e Koordinatorit dhe kërkoi nga Këshilli Prokurorial se: “Nëse kanë ndonjë anëtar që e kryen ketë detyrë më mirë le ta emërojnë në vend timin”.

Fazliu i pakënaqur e ka lëshuar mbledhjen e Këshillit.

Mbledhja e KPK – 01.03.2019 FOTO KALLXO
Mbledhja e KPK – 01.03.2019 FOTO KALLXO.