Të rinjtë kosovarë trajnohen për të zhvilluar mendimin kritik

Ngritja e kapaciteteve të të rinjve në të menduarin kritik, shkathtësi avokuese dhe udhëheqjen e inovacioneve sociale janë qëllimet e trajnimit të të rinjve kosovarë prej 18 deri në 24 vjet.

Ky projekt po realizohet nga Rrjeti i Edukatorëve Bashkëmoshatarë i përkrahur financiarisht nga Qeveria e Dukatit të madh të Luksemburgut dhe Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile.

“Social act’ realizohet në tetë komuna të Kosovës në dy cikle programore në katër komuna, në ciklin e parë janë përfshirë Fushë Kosova, Lipjani, Ferizaj dhe Mitrovica, ndërsa në fazën e dytë janë Peja, Istogu, Prizreni dhe Gjakova”, tha për Kallxo.com Sihana Bajtullahu, menaxhere e projektit.

Ajo tha se në fazën e parë janë trajnuar të rinjtë në lidhje me qasjen e tyre në institucione komunale.

Nga ana tjetër Behar Ferizi nga komuniteti egjiptian nga komuna e Istogut, i cili po merr pjesë në këtë trajnim tha se ka nevojë të zhvillohet mendimi kritik i të rinjve.

“Është trajnim shumë i mirë po aktivizohemi të rinjtë, po i mësojmë disa gjëra si mësimi kritik, qasja në institucione. Më ka ndryshuar pikëpamja duke marrë informata se në çfarë mënyre mund ta ndihmoj unë komunën time”, tha ai.

Në fazën tjetër të rinjtë do të përkrahen financiarisht për të realizuar projekte nëpër komunat e tyre.