(Mos)përfshirja e organizatave rinore në aktivitete të edukimit për barazi gjinore

Dhuna në baza gjinore është një prej shkeljeve më të shpeshta të të drejtave të njeriut në Kosovë. Të dhënat e organeve të rendit tregojnë se mbi 2200 gra ishin viktima të dhunës në familje gjatë vitit që lamë pas. Reagimi ndaj këtyre rasteve kërkon vetëdijesim në shoqëri në mënyrë që shifrat të ulen, e kjo niset edhe nga aktivitetet që servohen nga organizatat që veprojnë në Kosovë.

Në axhendën e shumicës së Këshillave të Veprimit Rinor Lokal (KVRL) dhe Qendrave rinore të cilat funksionojnë në disa komuna të Kosovës, nuk janë paraparë aktivitete të edukimit për barazi gjinore në vitet e fundit.

Kosova me kornizën e saj rregullative ka paraparë mekanizma ligjore dhe institucionale për përkrahjen, fuqizimin dhe integrimin e rinisë, por është në diskrecion të KVRL-ve dhe Qendrave rinore që të vendosin për projektet e tyre.

Formimi i Qendrave Rinore dhe KVRL-ve është një obligim për komunat që rrjedhë nga Ligji për Fuqizim dhe Pjesëmarrje të Rinisë. Ligji për rininë përcakton bazën ligjore për themelimin e KVRL që mundëson pjesëmarrjen e rinisë në nivelin qendror dhe atë lokal e atë përmes Këshillin Qendror të Veprimit Rinor dhe KVRL.

Por në anën tjetër, nga 38 komuna – Dragashi, Rahoveci, Klina, Shtimja, Shtërpca, Juniku, Deçani, Fushë Kosova, Skenderaj, Kllokoti, Mamusha, janë disa prej komunave që nuk i kanë aktive KVRL-në.

KALLXO.com ka biseduar me shumicën e Këshilla të Veprimit Rinor Lokal dhe Qendrat Rinore të cilat funksionojnë në Kosovë. KVRL-të në Kaçanik, Kamenicë, Mitrovicë dhe në Istog janë deklaruar se nuk kanë pasur aktivitete për barazi gjinore. Përderisa nga komunat tjera nuk kanë pranuar që të deklarohen në pyetjet e KALLXO.com lidhur me aktivitetet e tyre.

KVRL-ja në Kaçanik ka deklaruar se si organizatë pasi target kanë moshën 15-24 vjeç, nuk e cilësojnë vetën “kompetent” që të organizojnë aktivitete të kësaj natyre.

Por sipas tyre, gjatë gjithë aktiviteteve janë siguruar që çdo herë kuota gjinore të mbizotëroj.

“Kështu që lirshëm mund të themi se si organizatë bëjmë promovim kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave” – thonë nga KVRL në Kaçanik.

Përderisa, KVRL në Kamenicë ka thënë se nuk munden të përgjigjen rreth aktiviteteve të tyre, duke mos dhënë arsyetim.

“Sa i përket pyetjeve të adresuara më lartë, ne si KVRL nuk mundemi të ju përgjigjemi rreth aktiviteteve tona të cilat veç se janë në planprogram në bashkëpunim me KVRL të tjera” – ka thënë nga ky Këshill duke mos dashur që të deklarohen më tej.

Lidhur më këtë një raport i OSBE-së kishte thënë se KVRL-të mund t’i përdorin mjetet e ndryshme të informimit në masë për të përcjellë informacione rreth aktiviteteve dhe përpjekjeve të tyre avokuese.

Sipas tyre, në varësi të efektit të synuar, KVRL mund të informojë një audiencë më të gjerë duke i theksuar rezultatet e mëparshme, duke dhënë lajme rreth nismave në vazhdim e sipër dhe duke promovuar aktivitetet e planifikuara në të ardhmen.

Në tri vitet e fundit nuk kanë mbajtur aktivitetet për barazi gjinore thonë edhe nga Këshilli i Veprimit Rinor Lokal në Mitrovicë.

“KVRL Mitrovicë për momentin është duke kaluar në një fazë zgjedhore. Ju informojmë se aktivitete të tilla nuk kemi mbajtur në tri vitet e fundit” – kanë deklaruar shkurt.

KVRL në Istog, thotë se nuk kanë arritur të realizojnë asnjë aktivitet ndonëse thonë se dëshira dhe idetë kanë qenë.

Si shkak thonë se kanë qenë disa probleme, por duke mos dhënë më shumë detaje se cilat mund të kenë qenë ato.

“Jo për fat keq s`kemi mbajtur, dëshira dhe idetë kanë qenë po për arsye të disa problemeve s`kemi arrit me i realizu” – kanë thënë nga KVRL në Istog.

KALLXO.com ka provuar që të marrë një përgjigje edhe nga Qendrat Rinore që funksionojnë në komunat tjera.

Sipas ligjit për rininë, Qendrat rinore ofrojnë hapësirë për programet dhe veprimtaritë e të rinjve në bazë të statutit të tyre, ndërsa janë të hapura për të gjithë të rinjtë.

Në Skenderaj nuk është funksionale KVRL, por aktive është Qendra Rinore.

Në një përgjigje të shkurtër, Qendra Rinore Publike në Skenderaj kanë thënë se për një kohë “nuk kanë pasur aktivitete të tilla me fokus të drejta e grave dhe vajzave”.

Kurse, Qendra Rinore në Vushtrri “Hareja” ka thënë se nga janari – mars 2022  kanë mbajtur trajnim me temën barazia gjinore dhe grupet e margjinalizuara. Sipas koordinatorit Bajrush Kosumi, gjatë 12 ditëve janë realizuar ligjërata dhe këshillime për 15 vajza në këtë temë.

“Trajnimi me temën e drejta në trashëgimi – Gjatë 2 ditëve janë realizuar ligjërata dhe këshillime për 15 vajza në këtë temë. Trajnimi me temën dhuna në familje – Gjatë 2 ditëve janë realizuar ligjërata dhe këshillime për 15 vajza në këtë temë” – ka thënë ai.

 

Aktivitetet që u realizuan komunat tjera

Ndryshe nga komunat e lartcekura, komunat që kanë deklaruar se kanë bërë disa aktivitete për barazi gjinore janë Gjakova, Drenasi dhe Malisheva.

Kryetari i Këshillit të Veprimit Rinor Lokal në Gjakovë, Altin Hafizjaha në një prononcim për KALLXO.com ka deklaruar se gjatë vitit 2022/2023 kanë pasur aktivitete simbolike qe janë lidhur me barazinë gjinore dhe dhunën ndaj grave.

Një prej aktiviteteve që Hafizjaha kujton është me strehimoren e grave të cilat janë të ekspozuara nga dhuna në familje e cila është mbajtur më 29 dhjetor 2022.

Sipas tij, aktiviteti është organizuar në kuadër të fushatës së 16 ditëve që kushtohen sensibilizimit kundër dhunës ndaj grave.

“Aty është diskutuar për gjendjen konkrete të grave që dhunohen në baza ditore, traumat që kalojë, stigmën e shoqërisë për t`u përballur me paragjykimet nga jashtë, dhe rikuperimin e këtyre plagëve për trajtimin që iu bëhet në strehimore. Aktiviteti është organizuar në kuadër të fushatës së 16 ditëve që kushtohen sensibilizimit kundër dhunës ndaj grave” – u shpreh ai.

Ai tregon se një aktivitet në partneritet me ‘Jahjaga Foundation’ kanë organizuar një takim me gratë asambliste me temën “Zhvillimi i një karriere politike – sfida, përparësitë, rrugëtimi dhe mësimet”.

Kësisoj sipas tij, qëllimi ka qenë inspirimi për gratë e reja në udhëheqje dhe mundësitë që mund të kenë në vendimmarrje.

“Të rinjtë e komunës se Gjakovës kanë diskutuar për mundësitë  e barabarta të grave në sektorin e punës. Përmes këtij takimi u synua të krijohet hapësira e nevojshme për të rinjtë sidomos gratë dhe vajzat të cilët janë të interesuar në zhvillimet politike, qytetarinë aktive dhe kanë aspirata për një karrierë politike në të ardhmen, që të njoftohen dhe të mësojnë më shumë për qeverisjen lokale” – ka thënë Hafizjaha.

Më tej kujton se në bashkëpunim me Shoqatën për Edukim dhe Përkujdesje në Familje me 21 gusht 2022 kanë mbajtur sesionin mbi temën “Përmirësimi i njohurive dhe fuqizimi i të rinjve për një jetë pa dhunë dhe ngacmime seksuale”.

“Ligjëruese ka qenë Fatjona Karakushi, me profesion psikologe që diskutoi dhe shpjegoi të rinjve aspektet negative që kanë të bëjnë me dhunën në baza gjinore në Kosovë. Rolin e psikologut në shoqëri dhe nevojën e shtuar që kanë gratë e dhunuara për seanca tek psikologu si dhe raportimin e hershëm të rasteve tek organet kompetente”- u shpreh ai.

Përderisa, Donika Zogu, kryetarja e KVRL-së në Drenas ka deklaruar se gjatë viteve të fundit ka realizuar aktivitete për fuqizimin e grave dhe barazinë gjinore.

Sipas saj, qëllimi kryesor i aktiviteteve tona ka qenë fuqizimi dhe ngritja e kapaciteteve për gruan.

“Pasi që në punojmë kryesisht me rininë dhe target grupet tona kanë qenë vajza dhe djemtë të rinj të moshave 15-29 vjeç. Aktivitetet qe ne kemi realizuar kanë qenë trajnime dhe tryeza që disa prej tyre i kemi realizuar në bashkëpunim me Qendrën e Promovimin e Drejtave të Grave- QPDG” – ka deklaruar Zogu.

Më tej thotë se, trajnimet të cilat kanë mbajtur kanë qenë trajnimi i vajzave dhe grave të shkruajnë projekte dhe të aplikojnë për grante në organizata të ndryshme dhe në institucionet komunale, për grante START-UP, ngritja e kapaciteteve të bizneseve ekzistuese, dhe shkrim të projekteve.

“Këto janë disa nga trajnimet që kemi mbajtur, kurse aktivitet të tjera kanë qenë ligjërata dhe tryeza për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, rritjen e pjesëmarrjes së gruas në Dëgjimet Buxhetore Gjinore në nivel Lokal për adresim të kërkesave dhe nevojave të tyre” – tha ajo.

“Gjithashtu ju informoj që si KVRL- Drenas ju kemi bashkangjitur fushatave vetëdijesuese të Institucioneve si: Policia, Komuna dhe organizata të ndryshme për luftimin e dhunës dhe drejtave të grave” – deklaroi ajo.

Zogu ka paralajmëruar se kanë planifikuar dhe disa aktivitete të tjera që kanë të bëjnë me barazinë gjinore, të drejtat e grave që do t`i implementojnë gjate këtij viti si KVRL por edhe në bashkëpunime me OJQ dhe Institucionet lokale.

Nga KVRL në Malishevë ka thënë se kanë zhvilluar aktivitetet me të rinjtë e komunës së Malishevës me temë fuqizimin e Rinisë dhe barazisë gjinore i Organizuar në bashkëpunim me Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport, me ligjërues këshilltari ligjor i Avokatit të Popullit.

“Anëtarët tanë kanë qenë pjesëmarrëse në Kampanjën “Dhuna nuk fshehet mrena mureve” e realizuar nga Rrjeti i Grave të Kosovës. Anëtarët tanë kanë marrë pjesë ne Akademinë për vajzat e reja të organizuar nga OSCE. Po ashtu kemi zhvilluar takime me zyrtarët për barazi gjinore në nivelin lokal, lidhur me trajtimin dhe parandalimin e dhunës ndaj grave” – kanë thënë nga KVRL në Malishevë.

 

(Mos)Funksionalizimi i KVRL-ve në Komuna

Komunat e kanë obligim që të kenë të formuar Këshillat e Veprimit Rinor Lokal.

Ligji për Fuqizim dhe Pjesëmarrje të Rinisë Nr. 03/L-145, “ka për qëllim avancimin dhe riafirmimin e vazhdueshëm të pjesëmarrjes së të rinjve në procesin e vendimmarrjes, pa kurrfarë dallimi dhe përjashtimi, në zhvillimin e një shoqërie demokratike, me qëllim të përmirësimit të cilësisë së jetës së të rinjve dhe të statusit të tyre shoqëror”.

Gjithashtu, ky ligj obligon institucionet e Kosovës që të sigurojnë pjesëmarrjen e të rinjve dhe të sigurojnë gjithashtu ndikimin e duhur në procese të rëndësishme vendimmarrëse për të rinjtë.

Ndonëse një studimi të strategjisë kosovare për rininë 2013-2017 thotë se ekzistojnë 33 KVRL, që do të thotë 89% prej 37 komunave, sipas rezultateve nga studimi. Sipas studimit, katër komuna nuk kanë KVRL dhe kryesisht këto janë komuna të reja, më të vogla, ose komuna me përqindje të madhe të popullsisë serbe.

Rahoveci më një popullsi mbi 76 mijë banorë, 97 për qind të komunitetit shqiptar, e ka të themeluar KVRL-në por nuk ka funksionuar kurrë.

Qemajl Krasniqi, zyrtar për Rini në Komunën e Rahovecit ka thënë për KALLXO.com se nga viti 2013/ 2014 kur është themeluar KVRL por s`ka funksionu kurrë.

“Është themelu sa për të qenë. Ne vetëm një organizatë rinore e kemi aktive që punojmë. Ka veç OJQ tjera që marrin pare nga Ministria e Kulturës dhe nuk raportojnë tek ne”.

“Është ndonëse obligim ligjor, nga grupet rinore jo nga komunat na duhet me u kujdes me i kriju kushtet, ligji që është në plotësim i ka lënë shumë hapësirë dhe nuk kanë mundur me u organizuar me organizata secili ka vepru në kry të vetit. Jam mundu disa herë me riaktivizu, por s’ka pasë interesim, ka pasë edhe kundërshtime mos pranim të KVRL -së nga organizatat tjera” – u shpreh ai.

Ndërkaq, në komunën e Shtimes vazhdon te jetë joakvite KVRL. Madje në këtë komunë as Qendra Rinore nuk është aktive.

Drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Shtimes, Albana Fazliu ka thënë se nuk është aktive sepse prej shuarjes së aktivitetit të saj nuk ka pas ndonjë iniciativë për riaktivizimin e saj.

“OJQ rinore janë disa në komunën e Shtimes si OJQ “Akademia” OJQ” CEDF”, OJQ “Vizionida, “OJQ” Bashkimi rinor për bashkëveprim”, OJQ “Art stars union”, Qendra Rinore nuk është aktive sepse i ka skadu licenca, do shohim që gjatë këtij viti do të hapim konkursin për licencimin e Qendrës Rinore” – tha Fazliu.

Roli i organizatave rinore në vetëdijesimin kundër dhunës mbi baza gjinore është mjaftë i rëndësishëm, mirëpo numri më i madh i komunave në nivel vendi nuk i kanë themeluar, apo i kanë joaktive Këshillat e Veprimit Rinor Lokal.

 

Ky publikim është bërë i mundur me mbështetjen financiare të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë përmes nismës së Rrjetit të Grave të Kosovës “Ngritja e kapaciteteve dhe qëndrueshmërisë së OSHC-ve: Avancimi i barazisë gjinore në mes të pandemisë COVID-19″. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e Internews Kosova dhe jo domosdoshmërisht reflekton pikëpamjet e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.