'Ktyne nuk ua nin për neve' - Rinia e PDK-së proteston para Qeverisë

Rinia Demokratike e Kosovës ka protestuar para Qeverisë së Kosovës me moton “Ktyne nuk ua nin për neve” në Ditën Ndërkombëtarëve të Rinisë.

“Pushtetarët po pasurohen – rinia po largohet”, “Kryeministër, a je tu e pa, rinia po ikë?”, “Kryeministër, sa çifte të reja përfituan banesa me çmim të përballueshëm?”, “Pse nuk e ndërtuar stadiumin kombëtar?”, “Sanksionet e BE-së dhe SHBA-së: Qeveria vepro – rinia pëso”, “Ku janë fondet për dixhitalizim”, janë disa prej pankartave që u shfaqën krahas këtij aksioni.

Arbnora Salihu, Kryetare e Rinisë Demokratike të Kosovës, ka thënë se në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, rinia kosovare nuk mund të festoj, por të protestoj ndaj një “Qeverie e cila nuk e ka prioritet rininë”.

“Vetëm në dy vitet e fundit, rreth 100 mijë të rinjë e të reja e kanë lëshuar Kosovën. Të rinjtë çdo ditë po përballen me padrejtësi e me mungesë perspektive. Po përballemi me mungesë të vendeve të punës e me diskriminim në çdo sektor. Për rininë, nga kjo Qeveri nuk ka përkrahje, nuk ka vende të reja të punës, nuk ka banim të përballueshëm, nuk ka infrastrukturë mbështetëse, nuk ka asgjë nga ajo që e kërkojmë dhe që na duhet. Nuk ka asgjë nga ajo që është premtuar”, ka thënë Salihu.

“Ka rritje të kostos së jetesës e zvogëlim të mirëqenies sonë, ka ikje nga vendi ynë e mosbesim në institucione. Ka ngecje, ka stagnim, ka mashtrim e zhgënjim nga kjo Qeveri, që rininë nuk e ka fare në listën e prioriteteve”, tha Kryetarja e RDK-së.

“Një gjë është e vërtetë. Kjo Qeveri po dëshmon se nuk ua nin për neve. Prandaj, edhe ne, nuk kemi kurrfarë arsye për të festuar por vetëm për të protestuar” –  ka përfunduar Salihu.