Vendi ku kishte ndodhur vrasja e trefishtë- Foto: KALLXO.com

Të martën shpallet aktgjykimi për vrasjen që tronditi Prizrenin

Gjykata e Prizrenit do të shpallë të martën aktgjykimin në rastin e Eshref dhe Ejup Shemollarit, babë e bir, të akuzuar për vrasjen e trefishtë që 4 vjet më parë tronditi Prizrenin.

Shemollarët po rigjykohen lidhur me vrasjen e Ferdi Shishkos, Haki Thaçit dhe Belgin Ersoyt, e cila ka ndodhur më 8 mars 2015.

Në seancën e fundit, e mbajtur të premten, është dhenë fjala përfundimtare nga prokurori Genc Nixha, avokatët Mahmut Halimi e Betim Shala, si dhe të dëmtuarit, Zyrafete Delia, Masar Ersoy dhe Ardiana Thaqi.

Këta të fundit kishin vërejtje për mënyrën se si u zhvillua gjykimi, e sidomos shfaqën vërejtje e tyre për vendimin e parë të gjykatës për dënimin e të akuzuarve.

Eshref Shemollari po akuzohet për veprën penale të vrasjes së rëndë.

Sipas aktakuzës, më 8 mars 2015, në Prizren, në lagjen afër Spitalit, Eshref Shemollari me dashje ka privuar nga jeta 3 viktimat Ferdi Shishkon, Haki Thaçin dhe Belgin Ersoyn, që të tre nga Prizreni.

Ndërsa Ejup Shemollari, i biri i tij, akuzohet për veprën penale të vrasjes së rëndë në ndihmë, kjo pasi sipas aktakuzës i njëjti  i ka ndihmuar kryerësit të veprës penale të vrasjes së rëndë, babait të tij, Shemollari, që pas kryerjes së veprës penale të largohej nga vendi i ngjarjes.

Më 2.10.2017 Gjykata Themelore në Prizren kishte shqiptuar dënimet ndaj dy të akuzuarve Eshref e Ejup Shemollari.

Në atë vendim, trupi gjykues kishte vendosur që i akuzuari kryesor Eshref Shemallari të dënohet me 24 vjet burg në akuzat për vrasje të rëndë ndërsa djali i tij Ejupi, u dënua me 4 vjet e gjysmë burg në akuzën për ndihmë të dhënë kryesit pas kryerjes së veprës penale.

https://kallxo.com/28-5-vjet-burg-per-vrasjen-e-trefishte-ne-prizren/

Rasti ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit, për të qartësuar rrethanat lidhur me vendin e ngjarjes, dhe për të zgjidhur dilemat lidhur me deklarimet e disa dëshmitarëve.

Të premten para trupit gjykues prokurori Genc Nixha dhe avokatët Mahmut Halimi dhe Betim Shala dhanë fjalën e tyre përfundimtare.

Nëna e njërit prej viktimave, Zyrafete Delia, me ngulm kërkonte që të shikoheshin CD-të që janë të paraqitura si prova.

“Ose me mu lëshu CD-ja ose unë e lëshoj sallën. Pse po i mshefni CD-të?”, deklaroi ajo me të filluar seanca.

Kështu Xheladin Osmani kryetar i trupit gjykues, pas konsultimeve me anëtarët e trupit gjykues gjyqtarët, Ajser Skenderi dhe Refki Piraj, vendosën që të lëshohen CD-të që trupi gjykues i posedonte si prova.

Në CD-në e shikuara shihej lëvizja e të akuzuarve me automjet pas momentit kritik dhe momenti kur ata e braktisnin automjetin “Golf 2”.

E pastaj u vazhdua me fjalën përfundimtare të palëve në procedurë.

Genc Nixha në fjalën e tij përfundimtare të dhënë para trupit gjykues, deklaroi se qëndron sikurse në fjalën përfundimtare të dhënë në shqyrtimin e parë gjyqësor.

Në fjalën e tij përfundimtare në gjykimin e parë, prokurori Genc Nixha kishte ndryshuar aktakuzën sa i përket të akuzuarit Ejup Shemollari, ashtu që nga vrasja e rëndë në bashkëkryerje në veprën penale të vrasjes së rëndë në ndihmë. Po ashtu, prokurori kishte hequr dorë nga akuzat ndaj Ejup Shemollarit për veprën penale të armëmbajtjes pa leje.

Në seancën e të premtes prokurori Nixha tha se ka vetëm disa ndryshime të vogla për të theksuar e atë lidhur me provat dhe veprimet që janë ndërmarrë në rigjykim.

Prokurori Nixha deklaroi se kanë plotësuar udhëzimet që i janë dhënë nga Gjykata e Apelit, pasi që kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe është eliminuar dilema se i akuzuari Ejup Shemollari a ka pasur revole në vendin e ngjarjes. “Për këto dilema kemi shikuar CD- në si provë, nga ku shihen se dy të akuzuarit largohen nga vetura Golf 2′, tha ai.

Më 30 tetor 2018 ishte bërë rikonstruktimi i vendit të ngjarjes, ku trupi gjykues bashkë me prokurorin e avokatët mbrojtës si dhe të akuzuarit, kishin dalë në vendin e ngjarjes, ku kishte ndodhur vrasja e trefishtë në vitin 2015.

Por i dëmtuari Masar Ersoyn, babai i viktimës, Begin Ersoy, nuk ishte i pajtimit.

Sipas tij ka dëshmitarë që kanë parë se çka ka ndodhur në vendin e ngjarjes.

“Ka dëshmitarë që kanë pa që djali Ejup ka pasë revole në vendin e ngjarjes edhe e ka përdor atë, iu ka afru djalit tem edhe e ka gjujtë prej afër”, tha ai, teksa u ngrit nga vendi ku qëndronte i ulur dhe u afrua para trupit gjykues duke treguar me veprime për ato që i kishin treguar dëshmitarët.

Prokurori Nixha tha që për këto pretendime për dëshmitarin që e përmendi i dëmtuari Masar Ersoy edhe më parë të njëjtit i ka kërkuar që ta sjell atë dëshmitar në Prokurori e para Gjykatës, por sipas prokurorit Nixha, i dëmtuari Masar Ersoy ka deklaruar se dëshmitari nuk dëshiron të deklarohet për këtë çështje para Gjykatës.

Ardiana Thaqi, bashkëshortja e viktimës Haki Thaçi, pasi u ngrit në këmbë tha që pajtohet me prokurorin.

“Unë pajtohem me fjalët e prokurorit, por në këtë rast të dy të akuzuarit janë fajtorë për vrasje, jo vetëm Eshrefi”, shtoi ajo.

“E ky i akuzuari (duke iu referu Ejup Shemollarit) shëtitet ka të dojë e është i lirë, kjo është provokim për mua e për fëmijët e mi”, tha ajo.

Ndërsa Zyrafete Delia kishte shumë vërejtje edhe për trupin gjykues, por edhe për prokurorin Genc Nixha.

Ajo është e dëshpëruar me dënimet që u ishin shqiptuar herën e parë të akuzuarve.

“24 vite për vrasje të trefishtë, sepse mua më është vrarë djali, m’ka mbet fëmija i tij pa babë, tash i ka ba 5 vite pa babë, por edhe nusja pa burrë”, deklaroi ajo në fjalën përfundimtare.

“I keni mshef CD-të e vendit ku mu ka vra djali”, thoshte ajo, duke kërkuar me ngulm që të shfaqeshin CD me pamje nga dita kritike.

Por prokurori Genc Nixha tha që nuk ka pasur asnjëherë CD në të cilat shihet momenti kritik kur ka ndodhur vrasja.

“Po të kishte një CD ashtu qysh po thua ti, edhe po të shiheshin pamje të momentit kritik kur ka ndodhur vrasja, edhe unë e kisha pasë punën ma të lehtë, edhe kjo procedurë gjyqësore ish kry shumë moti”, iu përgjigj prokurori.

Edhe avokatët Mahmut Halimi e Betim Shala dhanë fjalën përfundimtare, kryesisht pa shumë ndryshime si herët e fundit kur ishte dhënë fjala përfundimtare.

Avokati Mahmut Halimi tha se pas rigjykimit dhe pasi që vepruan sipas udhëzimeve të Gjykatës së Apelit “nga ekspertiza e elaboruar pas eliminimit të dilemave dhe daljes në vend të ngjarjes propozoi këtij trupit gjykues që gjatë këshillimit dhe votimit veprimet e të akuzuarit Eshref Shemollari të kualifikohen si vrasje në çast”.

Ndërsa avokati Betim Shala, që mbron të riun Ejup Shemollari, tha se i mbrojturi i tij me rastin e ngasjes së automjetit ” Golf 2 ” nuk ka qenë i vetëdijshëm e as që e ka ditur se në atë automjet babai i tij më herë kishte vendosur armët.

“Gjithashtu nga provat e lëndës vërtetohet se armën në Polici e ka dorëzuar i akuzuari Eshref Shemollari”, shtoi avokati Shala.

Në përfundim trupi gjykues u tërhoq në këshillim dhe votim, e kryetari Xheladin Osmani caktoi ditën e martë për shpalljen e vendimit.

https://kallxo.com/ekskluzive-historia-e-konfliktit-qe-coi-te-vrasja-e-trefishte-ne-prizren/

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” i datës 16 mars 2015, ka trajtuar ngjarjen e ndodhur në Prizren.

https://kallxo.com/babe-e-bir-ne-gjykate-per-vrasje-te-trefishte/

Eshref Shemollari akuzohet se në mars të vitit 2015, në Prizren, për shkak të një mosmarrëveshjeje të mëhershme, vrau Ferdi Shishkon, Haki Thaçin dhe Belgin Ersoyn, që të tre nga qyteti i Prizrenit.

Kallxo.com ekskluzivisht në vitin 2015 ka raportuar për këtë ngjarje duke sjellë historinë e ngjarjes.

Vrasja e trefishtë e cila tronditi qytetin e Prizrenit në vitin 2015,  një të diel pasdite, kishte dalë të jetë me të kaluar të hershme problematike mes tashmë të akuzuarit Eshref Shemollari dhe 3 viktimave.

Ejup Shemollari, i biri i Eshrefit akuzohet t’i ketë dhënë ndihmë babait duke e larguar nga vendi i ngjarjes pas kryerjes së vrasjes.

2 ditë pas vrasjes dhe qëndrimit në arrati, Eshref Shemollari, me datë 10 mars të vitit 2015 në orët e pasdites ishte vetëdorëzuar në Policinë e Kosovës, në Prishtinë.

https://kallxo.com/pamje-te-transferimit-per-ne-prizren-te-te-dyshuarit-per-vrasje-te-trefishte/

www.kallxo.com