Gjykimi per vrasje ne tentative-Foto: KALLXO.com

Prizren, i akuzuari për vrasje në tentativë të kushëririt ndien keqardhje për rastin

Në Gjykatën e Prizrenit, Açif Vasija, i akuzuar për vrasje në tentativë të kushëririt të tij, e ka dhënë versionin e tij për ngjarjen.

I akuzuari  Açif Vasija ka deklaruar se e ka goditur të dëmtuarin me çelësa të makinës së tij dhe ka mohuar kategorikisht akuzën për vrasje në tentativë. Sipas tij, ngjarja kishte ndodhur si rezultat i frikës nga një sulm i mundshëm nga ana e të dëmtuarit.

Prokuroria e ngarkon Vasijën se më 14 nëntor 2022, me dashje ka sulmuar të dëmtuarin me thikë, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore në pjesë të ndryshme të trupit.

Në një deklaratë të dhënë të martën në Gjykatën e Prizrenit, i akuzuari ka paraqitur versionin e tij të ngjarjes.

Sipas tij, në natën kritike ka ndodhur një përleshje, gjatë së cilës ai ka goditur të dëmtuarin me çelësat e shtëpisë dhe makinës së tij.

“Natën kritike unë kam qenë duke u kthyer për në shtëpi me makinë, ku dhe e kam parkuar makinën dhe kam dalë nga aty. Kam dëgjuar bërtimë duke më shajtur dhe e kam pa se është duke vrapuar në drejtim tim. Unë kam pasur në dorë vetëm çelësat e makinës dhe shtëpisë. Pastaj, aty u përleshëm. Blerimi vazhdoi në rrugë, unë në rrugën e kundërt”- shpjegoi ai.

I akuzuari ka mohuar kategorikisht se ka ndjekur të dëmtuarin dhe se ka patur një thikë në dorë.

“E godita me çelësat e makinës dhe të shtëpisë që i kisha në dorë” – shtoi Vasija.

Më tej, ai shprehu keqardhje për ngjarjen, duke theksuar se të dy ishin kushërinj, dhe gjithçka kishte ndodhur si rezultat i frikës nga një sulm i mundshëm nga ana e të dëmtuarit.

“Ndiej keqardhje se diçka e papritur për mua ka qenë. Ndiej keqardhje se jemi kushërinj dhe me ndodhë e gjithë kjo. Por kjo ka qenë si pasojë e frikës mos po më sulmon Blerimi (i dëmtuari)” – u shpreh Vasija.

Gjatë seancës gjyqësore, Arsim Gërxhaliu, ekspert mjekoligjor, ka paraqitur vlerësimin e tij mbi pasojat e përjetshme të shëndetit tek i dëmtuari. Ky vlerësim është bërë pas shqyrtimit të dokumentacionit shtesë mjekësor të 23 tetorit 2023.

Eksperti Gërxhaliu ka analizuar me kujdes dokumentacionin mjekësor dhe ka evidentuar pasojat e rënda të shëndetit të të dëmtuarit, duke i klasifikuar ato nga të përjetshme në të përkohshme.

Gjatë të njëjtës seancë, dëshmitarja Durje Vasija, e njohur me të akuzuarin dhe të dëmtuarin, ka dëshmuar se në raportet e tyre më parë nuk ka pasur mosmarrëveshje midis tyre.

Durje Vasija ka ndarë me gjykatën se i akuzuari, Açif Vasija, ka treguar interesim për shëndetin e të dëmtuarit gjatë qëndrimit të tij në spital në ditën kritike.

Në fund të gjykimit, prokurori Genc Nixha kërkoi nga gjykatësi Artan Sejrani që të akuzuarit t’i ndërpritet arresti shtëpiak pasi sipas tij kanë pushuar arsyet ligjore.

Rasti po drejtohet nga kryetari i trupit gjykues, Artan Sejrani me anëtarët Luan Berisha dhe Lulzim Hoxha. Aktakuza përfaqësohet nga prokurori Genc Nixha.

Seanca e radhës për këtë rast u caktua për më 15 dhjetor 2023, ku nga palët do të jepet fjala përfundimtare.

Sipas Prokurorisë, Açif Vasija më 14 nëntor 2022, në Prizren, me dashje tenton ta privojë nga jeta kushëririn e tij – të dëmtuarin Blerim Vasija.

Aktakuza thotë se pasi i pandehuri kishte parkuar veturën në afërsi të derës së hyrjes së shtëpisë së të dëmtuarit, me ta vërejtur këtë fakt, i dëmtuari futet brenda në shtëpi, merr çelësat që ta largojë automjetin e tij ku e kishte parkuar dhe kur tenton ta hapë derën, i pandehuri  i drejtohet me bërtima dhe fillon ta sulmojë.

“Me një thikë të cilën e ka pasur në dorë i pandehuri e sulmon të njëjtin në pjesën e kokës, qafës, kafazit dhe në afërsi të klavikulës dhe pasi i dëmtuari tenton të ikë nga vendi i ngjarjes, i njëjti i vihet pas, mirëpo i dëmtuari ndalon para një shtëpie duke kërkuar ndihmë me ç’rast me një automjet arrin në afërsi të një lokali dhe bashkë me E.Q., shkojnë në Emergjencë”-përshkruhet në aktakuzë.

I dëmtuari, sipas Prokurorisë, i nënshtrohet intervenimit kirurgjik, ku sipas Institutit të Mjekësisë Ligjore i janë shkaktuar lëndime të rënda me pasoja të përhershme për shëndetin.

Me këtë Açif Vasija ngarkohet se ka kryer veprën penale vrasje në tentativë.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.