Vrasja e Oliver Ivanoviqit, dëshmitari thotë që ka ardhur në gjykatë bashkë me të akuzuarin

Ish-shefi policor i Mitrovicës së veriut, Sreqko Banoviq është paraqitur në Gjykatën e Prishtinës për të dëshmuar në lidhje me rastin e vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviq. Rast për të cilin të akuzuar janë gjashtë persona.

Banoviq që tashmë është i pensionuar e konfirmoi se ka punuar si shef i tashmë të akuzuarit Rade Basara në stacionin policor të Mitrovicës së veriut, në njësitin regjional të hetuesisë.

I njëjti në pyetjen e anëtarit të trupit gjykues, Musa Konxheli “Se me kënd ke ardhur sot në gjykatë për të dëshmuar?” tha se: “Me Rade Basarën”.

Rade Basara akuzohet së bashku me Marko Roshiq, Silvana Arsoviq, Nedelko Spasojeviq, Zharko Jovanoviq dhe Dragisha Markoviq se kanë ndihmuar në ekzekutimin e Ivanoviqit.

Dëshmitari i ditës së sotme, Banoviq vazhdoi dëshminë e tij duke thënë se nuk ka pasur ndonjë rast ku i akuzuari Basare t`i ketë kërkuar ndonjë lëndë për ta trajtuar më me veçanti ose të ketë refuzuar ndonjë lëndë për ta trajtuar.

Dëshmitari Banoviq i cili ishte i ftuar në cilësinë e dëshmitarit të propozuar nga i akuzuari Basare, tha se nuk ka ndodhur ndonjëherë të pranoj ndonjë vërejtje për tashmë të akuzuarin qoftë nga qytetarët apo nga ndonjë prokuror.

“Personalisht për punën e Rades nuk kam pas ankesa as nga prokurori as nga qytetarët”- tha dëshmitari.

Dëshmitari tha se i kujtohet që në vitin 2017 t`i ketë dhënë pushimin vjetor të akuzuarit por që periudha kohore nuk i kujtohej saktë.

“Rade Basares shumicën e rastit ja kam miratuar pushimin vjetor për vitin e ri për arsye se ka pas familje në Kroaci”- tha dëshmitari.

Banoviq tha se kishte qenë në pushim vjetor në periudhën kur kishte ndodhur vrasja e Ivanoviqit.

Me të filluar seanca gjyqësore, parashihej shikimi i një videoincizimi me kërkesën e avokatit Mahmut Halimi, i cili përfaqëson të akuzuarin Marko Roshiq, por që për shkaqe teknike nuk u arrit që të shikohej videoja në fjalë.

Në këtë seancë avokati Faruk Korenica që mbron të akuzuarin Nedelkjo Spasojeviq propozoi që si dëshmitar të dëgjohet Mirsada Mustafa.

Propozimi i Korenicës u aprovua nga gjyqtari i çështjes, Valon Kurtaj.

Seanca e radhës për këtë rast do mbahet në janar të vitit 2024.

Sipas aktakuzës, Marko Roshiq, Silvana Arsoviq, Nedelko Spasojeviq, Rade Basara, po akuzohen se si grup kriminal të udhëhequr nga Millan Radoiçiq dhe Zvonko Veselinoviq, kishin kontribuar në forma të ndryshme në vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

Në këtë rast akuzohen edhe dy zyrtarë policorë, Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq, të cilët sipas Prokurorisë kishin manipuluar me prova të rastit.

Sipas aktakuzës, secili nga të lartcekurit në ditën kritike kanë kryer veprime konkrete, të cilat kanë dërguar deri te vrasja e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq.

Prokuroria pretendon se i pandehuri Nedelko Spasojeviq duke vepruar si anëtar i grupit, ka ndihmuar në kryerjen e vrasjes duke bashkëpunuar ngushtë me të dyshuarit e panjohur që të kryejnë vrasjen e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq.

Sipas aktakuzës ai fillimisht u ka mundësuar të dyshuarve që të lëvizin me veturën zyrtare të policisë të markës Golf IV, karavan, më pas i ka dërguar të njëjtit tek vetura “Opel Astra”, ngjyrë e kaltër, pa targa, nga e cila veturë është shtënë në të ndjerin Oliver Ivanoviq.

Përveç kësaj në aktakuzë thuhet se i pandehuri Nedelko Spasojeviq në ditën kritike së bashku me dy policët që kanë qenë të parët në vendin e ngjarjes Zharko Jovanoviq dhe Dragisha Markoviq, kanë lejuar personat e paautorizuar të futen në vendin e ngjarjes dhe të dëmtojnë provat që kanë qenë aty.

Marko Roshiq akuzohet se si anëtar i grupit kriminal ka ndihmuar në kryerjen e vrasjes së Oliver Ivanoviqit  pasi me veturën “Santa Fe” ka përcjellë çdo lëvizje të tij para vrasjes, ndërsa pas vrasjes, në rrobat e të ndjerit është gjetur një letër, në të cilën kanë qenë të dhënat e veturës “Santa FE”, ngjyrë e zezë, me targa “KM-014-FZ”.Në aktakuzë ceket se kjo veturë është në pronësi dhe përdorim të të akuzuarit Roshiq dhe përmes saj ai e kishte përcjellë edhe Mirosllav Ivanoviqin, vëllanë e të ndjerit pasi kishte ndodhur vrasja.

Rade Basara akuzohet se si polic hetues në Mitrovicën e Veriut kishte bashkëpunuar ngushtë me Zhelko Bojiqin dhe me grupin e organizuar e që është udhëhequr nga i dyshuari Millan Radoiçiq, për t`i eliminuar dhe fshehur gjurmët e krimit si dhe provat dhe dëshmitë në vendin e ngjarjes.

E pandehura Silvana Arsoviq, akuzohet se si anëtare e grupit kriminal kishte ndihmuar në eliminimin e pengesave për kryerjen e vrasjes duke shkyçur nga rryma kamerat e sigurisë dhe duke mundësuar që të dyshuarit të mos incizohen nga kamerat e sigurisë në kohën kur kryhet akti i vrasjes.

Sipas Prokurorisë Arsoviq menjëherë pas vrasjes së Ivanoviqit ka aktivizuar kamerat e sigurisë në zyrat e partisë SDP. Ajo sipas aktakuzës ka qenë duke punuar si administratore në këto zyre dhe si person i vetëm në objektin e përmendur në kohën kur është kryer vrasja.

Polici Dragisha Markoviq akuzohet se pa autorizim ka dhënë informata të cilat përbënin fshehtësi zyrtare gjatë kohës sa ishte në vendin e ngjarjes ku kishte ndodhur vrasja e Oliver Ivanoviqit.

Dy policët Markoviq dhe Zharko Jovanoviq, akuzohen edhe se kanë manipuluar me provat e vendit të ngjarjes me qëllim që t’i bëjnë të pashfrytëzueshme duke i hequr dhe fshehur ato. Sipas Prokurorisë Speciale Dragisha Markoviq, bën me dorë në drejtim të gëzhojës e cila ishte gjetur në vendin e ngjarjes e të cilën më pas i pandehuri Zharko Jovanoviq e merr atë gëzhojë, e fut në xhep dhe së bashku me të pandehurin tjetër Dragisha Markoviq largohen nga vendi i ngjarjes.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast – LINK