Foto: KALLXO.com

Prizren, vrasja e 23-vjeçarit me thikë, avokati i të akuzuarit kërkon aktgjykim lirues

Në lidhje me rastin e ndodhur më 1 maj 2020 në Prizren, ku pas therjes me thikë kishte mbetur i vdekur 23-vjeçari Mendim Kurtishaj, mbrojtja e dy të akuzuarve, vëllezërve Orhan dhe Albert Ademaj, ka thënë se nuk janë plotësuar elementet e veprës penale për vrasje të rëndë, duke mohuar praninë e dashjes dhe hakmarrjes në këtë rast.

Në seancën e së enjtes në Gjykatën e Prizrenit avokati Blerim Mazreku, mbrojtës i Orhan Ademajt, ka bërë të qartë se, sipas tyre, nuk mund të flitet për një akt vrasjeje me hakmarrje.

“Vijmë në përfundim se as vetë Prokuroria nuk e beson se kemi të bëjmë me një hakmarrje të paskrupullt dhe që na bën ta kuptojmë se nuk është plotësuar elementi i hakmarrjes si element qenësor i cili i jep veprës penale të vrasjes një kualifikim më të rëndë”-ka deklaruar avokati Mazreku.

Mazreku theksoi mungesën e provave për të dëshmuar se vëllezërit Ademaj kanë vepruar me dashje direkte ose eventuale në vrasjen e Kurtishajt.

Duke komentuar akuzën e Prokurorisë, ai shtoi se dëshmia e dëshmitarit M.H., i cili vuante nga skizofrenia, nuk mund të mbështeste akuzën pasi që gjendja shpirtërore e dëshmitarit ndikon në perceptimin e realitetit.

Avokati më tej shfaqi dyshime rreth thikës, mjet me të cilën pretendohet se është kryer vrasja, duke thënë se kjo nuk është gjetur asnjëherë dhe se sulmi në fjalë ishte i atypëratyshëm. Mazreku gjithashtu argumentoi se fillimisht i mbrojturi i tij, Orhan Ademaj ishte sulmuar nga tashmë i ndjeri, Mendim Kurtishaj, por që Prokuroria e ka cilësuar këtë rast si lëndim i lehtë trupor.

Avokati mbylli fjalën e tij duke kërkuar nga Gjykata një aktgjykim lirues për Orhan Ademajn.

“Duke marrë parasysh se pothuajse të gjitha provat në këtë procedurë nuk janë marrë për bazë sipas dispozitave ligjore, i propozojmë Gjykatës mëdyshjet lidhur me ekzistimin e fakteve të rëndësishme për çështjen ose zabtimin e ndonjë dispozite të ligjit penal të interpretohet në favor të të pandehurit dhe të drejtave të tij sipas KPK-së dhe Kushtetutës” – përfundoi avokati Mazreku.

Seanca për matjen e dënimit është caktuar për më 20 dhjetor 2023.

Rasti po gjykohet nga kryetarja e trupit gjykues, Raima Elezi, me anëtarët Luan Berisha dhe Alija Fazliji. Aktakuza po përfaqësohet nga prokurori Genc Nixha.

Prokuroria akuzon Orhan Ademajn dhe Albert Ademajn se më 1 maj 2020, në Prizren, në rrugën “Ismail Kryeziu”, tek i ashtuquajturi “Tranziti i ri”, në bashkëkryerje, me dashje, nga motivi i hakmarrjes, privojnë nga jeta Mendim Kurtishajn.

Në aktakuzë thuhet se dy të akuzuarit me veturën e tyre, të cilën ishte duke e drejtuar Albert Ademaj, e ndjekin M.K., i cili ishte në motoçikletë së bashku me dëshmitarin M.H.

Tutje sqarohet se kur arrijnë te “Tranziti i ri” në Prizren, rrugë e cila nuk ka dalje e që vërehet nga kamerat e sigurisë, Orhan Ademaj pasi del nga automjeti i afrohet M. K., dhe në konflikt me viktimën e godet me thikë në pjesën ballore të gjoksit.

Pas kësaj me të shpejtë kthehet në automjet dhe largohen nga vendi i ngjarjes.

Gjithnjë sipas aktakuzës, më pas vjen autoambulanca – emergjenca në vendin e ngjarjes dhe viktima është dërguar në Spitalin Rajonal në Prizren, me ç’rast është vërtetuar se viktima në Emergjencë ka arritur pa shenja jete.

Me këto veprime Orhan dhe Albert Ademaj nga Prokuroria akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale – vrasja e rëndë.

Çështja në këtë rast po drejtohet nga kryetarja e trupit gjykues, Raima Elezi me anëtarët gjykatës- Luan Berisha dhe Alija Fazliji. Aktakuza përfaqësohet nga prokurori Genc Nixha.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.