(Arkiv) Foto: KALLXO.com

Gjykimi i gruas së akuzuar për shtytje në vrasjen e burrit të saj, regjistruesi i pamjeve të kamerave dërgohet për ekzaminim në AKF

Gjykata e Prizrenit ka marrë vendim që të dërgohet regjistruesi i pamjeve të kamerave (DVR), në Agjencinë Kosovare të Forenzikës për ekzaminim. Ky zhvillim vjen në kuadër të rigjykimit për rastin e vrasjes së rëndë në Suharekë.

Rasti po drejtohet nga kryetari i trupit gjykues, Artan Sejrani bashkë me anëtarët Kymete Kicaj dhe Baki Shigjeqi. Aktakuza po përfaqësohet nga prokurori Genc Nixha.

Abedin Bytyqi ishte zhdukur në tetor të vitit 2016, ndërsa trupi i tij u gjet më vonë në një mal, i djegur e i groposur.

Për shtytje në vrasje të rëndë po akuzohet gruaja e të ndjerit, Resmije Bytyqi, e cila u dënua me 20 vjet burg bashkë me dy djemtë e axhës së saj, Murat e Reshat Ademin.

Murat Ademi ishte dënuar me 25 vjet burg për vrasje të rëndë, Fadil Fetiu, i akuzuar për ndihmë në kryerjen e vrasjes, ishte dënuar me 12 vjet burg, e Reshat Ademi ishte liruar nga akuza

Në nëntor të vitit 2021 u mor ky vendim por instanca e dytë e ka kthyer çështjen në rigjykim.

Gjatë seancës së zhvilluar të hënën, Florim Vërtopi, mbrojtës i të akuzuarit Murat Ademi, ka kërkuar që DVR-i të ekzaminohej ekskluzivisht nga Agjencia Kosovare e Forenzikës. Ai ka argumentuar se ekzaminimet e deritanishme nga Policia e Kosovës nuk janë të bazuara në ligjin e AKF-së.

“Nëse gjendet DVR, unë do të propozoj që ta ekzaminojë institucioni ekskluzivisht i përcaktuar me ligj për AKF, dhe njëra kërkesë do të jetë se a ka pasur ndërhyrje në këtë DVR që të mund të zbulohet nga inspektuesit-ekzaminuesit e këtij DVR-i. Po ashtu, këto raporte për ekzaminim nga Policia e Kosovës, i mbrojturi im Murat Ademi dhe mbrojtja i konsideron si ekzaminime jo të bazuara në ligjin e AKF-së. Prandaj, Gjykata medoemos duhet të bëjë përpjekje që ta gjejë këtë DVR në mënyrë që të zbulohet e vërteta materiale, as më pak e as më shumë, dhe t’i jepet mundësia Murat Ademit një gjykim i drejtë duke i dërguar në AKF që t’i sigurojë pamjet e propozuara më herët  dhe atë nga data 6 shtator 2016 deri më 16 tetor 2016” – deklaroi avokati Vërtopi.

Avokati Vërtopi gjithashtu ka bërë thirrje për gjetjen e DVR-it, duke shtuar se Gjykata duhet të bëjë përpjekje për ta siguruar atë në mënyrë që të zbulohet e vërteta materiale.

Megjithatë, Gjykata në fund ka refuzuar propozimet e avokatit Vërtopi për kërkesën e hyrjeve dhe daljeve të zyrtarëve policorë nga Qendra e Paraburgimit në Prizren në periudhën nga 14 nëntor 2016 deri më 29 maj 2017, si dhe sigurimin e procesverbalit të marrjes në pyetje të të akuzuarit Fetiu në Qendrën e Paraburgimit në Prizren më 14 nëntor 2016.

Seanca e radhës u caktua për më 13 dhjetor 2023.

Sipas Prokurorisë, vëllezërit Murat e Reshat Ademi akuzohen se më 6 tetor 2016, në fshatin Peqan të Suharekës, në bashkëkryerje, mizorisht kanë vrarë Abedin Bytyqin.

Motivi i krimit, sipas Prokurorisë, ishte bashkëshortja e të ndjerit, Resmije Bytyqi.

Aktakuza i ngarkon edhe Fadil Fetiun për ndihmë në vrasje, ndërsa Resmije Bytyqin për shtytje në vrasje.

Sipas aktakuzës, vëllezërit Ademi janë takuar gjatë vitit 2016 me të akuzuarën Resmije Bytyqi, të cilën e kanë vajzë të axhës, dhe ajo u është ankuar atyre se bashkëshorti i saj, Abedin Bytyqi, po e keqtrajtonte duke e rrahur.

Sipas Prokurorisë, më pas ajo u kishte kërkuar atyre që ta vrisnin burrin e saj, duke u thënë se nëse ata nuk munden ta bëjnë vrasjen, ajo do ta angazhonte dikë tjetër për ta kryer një gjë të tillë.

Në dispozitivin e aktakuzës thuhet se i akuzuari Murat Ademi, i shtyrë nga e akuzuara Resmije Bytyqi, ka shkuar në shtëpinë e të akuzuarit Fadil Fetiu, ku i ndjeri po punonte në instalimet elektrike dhe nën kërcënimin e armës së zjarrit e ka rrëmbyer tani të ndjerin.

Në aktakuzë thuhet se Murat Ademi e ka lidhur viktimën dhe e ka dërguar në një vend të panjohur ku e priste i akuzuari tjetër Reshat Ademi dhe më pas të dytë e kanë goditur me mjete të forta duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit pasi e kanë rrahur viktimën, të njëjtin e kanë mbytur duke ia vënë flakën dhe më pas e kanë groposur.

Për këto pretendime në tetor të vitit 2019 dhe në tetor të vitit 2021, Gjykata e Prizrenit i kishte dënuar me gjithsej 57 vjet burgim tre të akuzuarit.

Murat Ademi ishte dënuar me 25 vjet burg, bashkëshortja e të ndjerit, Resmije Bytyqi, me 20 vjet burg dhe Fadil Fetiu me 12 vjet burg. Ndërkaq, ishte shpallur i pafajshëm nga Gjykata i akuzuari Reshat Ademi.

Por me vendimin e Apelit rasti është kthyer në pikën zero.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në LINK